Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian po hyn në një fazë vendimtare. Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se pas pak ditësh pritet të hapen kapitujt e fundit të negociatave me BE-në, duke e cilësuar këtë si një moment historik për vendin.
Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Real Story” në ABC News, Rama theksoi se përparimi i shpejtë i Shqipërisë në këtë proces është rezultat i një përkimi të jashtëzakonshëm pozitiv, ndërsa vuri në dukje rolin e rëndësishëm të Italisë dhe të kryeministres Giorgia Meloni, të cilën e quajti “dorë fati” për fazën përfundimtare të integrimit, meqë Italia do të mbajë Presidencën e BE-së në gjysmën e parë të vitit 2028.
Sokol Balla: Në fakt, unë nuk e dija por fakti që Italia merr 6 muajt e parë të Presidencës së BE-së në 2028-ën kur presupozohet që ne të kemi mbyllur negociatat teknike sigurisht që është një lajm i mirë, por megjithatë unë do të kisha preferuar tek 6 muajt e dytë të 2028-ës sesa tek të parat. Për shkak të faktit që siç e kanë treguar dhe vendet e tjera procesi politik do te të jetë pika nevralgjike le të themi.
Edi Rama: Është një përkim i jashtëzakonshëm pozitiv, në vazhdën e përkimeve të këtyre viteve të fundit, që kanë praktikisht përshpejtuar në mënyrë eksponenciale do të thoja procesin, pasi ndërkohë që Mali i Zi ka marrë vite e vite të tëra për të hapur kapitujt ne i kemi hapur në 12 muaj, po numëroj tani edhe ato që do të hapen të fundit pas pak ditësh. Të gjithë kapitujt. Kështu që është një përshpejtim i jashtëzakonshëm dhe ai është një përkim i jashtëzakonshëm për faktin që nëse ne ia dalim me sukses të mbyllim negociatat brenda 2027-ës, atëherë Italia 6 muajt e parë dhe posaçërisht kjo kryeministre, do jenë një dorë e fatit në këtë proces.




















