Mbi 5 mijë fluturime në Shtetet e Bashkuara janë anuluar ose kanë pasur vonesa, pas vendimit të Departamentit të Transportit për reduktimin e tyre me 10%. Situata ka krijuar kaos nëpër aeroportet amerikane, ndërsa problemet po ndihen edhe nëpër Europë.

Reduktimi me 10% i fluturimeve në shkallë kombëtare në Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar kaos në aeroportet kryesore të vendit. Vetëm të premten u anuluan mbi 1 mijë fluturime, ndërsa rreth 4 100 të tjera patën vonesa të gjata.
Gjendja u krijua pas vendimit të Departamentit të Transportit dhe Autoritetit të Fluturimeve Ajrore për të larguar nga puna dhjetëra kontrollorë ajrorë në 40 aeroportet më të ngarkuara.

Prej 37 ditësh, ata punonin pa pagesë, pasi republikanët dhe demokratët në Kongres nuk po arrijnë marrëveshje për buxhetin e pjesshëm. Sipas autoriteteve, shumë prej tyre ishin dypunësuar për të siguruar të ardhura, duke arritur nivele të rrezikshme lodhjeje që cenonin koordinimin e sigurt të fluturimeve. Për të shmangur rreziqe ndaj mijëra pasagjerëve çdo ditë, qeveria urdhëroi që ata të pezullohen nga detyra. Kaosi në Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar vonesa zinxhir edhe nëpër aeroportet ndërkombëtare të Europës e më gjerë.

Aktualisht, reduktimi i fluturimeve është 4%, por pritet të rritet gradualisht në ditët në vijim, derisa të arrijë në 10%. Autoritetet paralajmërojnë se gjatë fundjavës së ardhshme, nëse situata politike mbetet e pazgjidhur, numri i fluturimeve të ndërprera mund të shkojë deri në 20%.