Ministria e Drejtësisë zhvilloi një takim pune me drejtues të institucioneve të sistemit të drejtësisë në kuadër të hartimit të Kodit të ri Penal. Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, theksoi se dokumenti i ri ligjor synon të reflektojë realitetet e sotme sociale, të ofrojë siguri juridike dhe të përmbushë standardet e Bashkimit Evropian.

Lamallari u shpreh se nevoja për rishikimin e Kodit Penal buron nga ndryshimet që ka përjetuar vendi gjatë tri dekadave të fundit. “Prioriteti ynë është të ndërtojmë një Kod Penal që garanton mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, forcon luftën kundër kriminalitetit dhe parandalon veprimtari të paligjshme, nga më të thjeshtat tek ato më komplekset, nga format tradicionale tek ato të shfaqura vitet e fundit,” tha ai.

Ai vlerësoi kontributin e magjistratëve, avokatëve, noterëve, përmbaruesve gjyqësorë, stafit akademik, institucioneve publike, jopublike dhe komunitetit të biznesit në procesin e konsultimit publik që ka shoqëruar deri tani hartimin e draftit. Sipas tij, brenda tre muajve të ardhshëm duhet të përmbyllet mbledhja e komenteve me shkrim, për të mundësuar më pas rakordimin teknik dhe përcjelljen e draftit për shqyrtim nga Komisioni Evropian, para miratimit përfundimtar në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.

Sa i përket qëndrimeve të ndryshme të ngritura gjatë procesit, Lamallari tha se debatet profesionale janë të domosdoshme për të arritur një produkt më të saktë dhe efektiv. “Çdo institucion që ju drejtoni, çdo ekspert, çdo grup interesi, e sheh sistemin penal nga një këndvështrim specifik. Dhe pikërisht kjo shumësi perspektivash e bën këtë proces më të fortë, më të saktë dhe më të drejtë. Ajo që kërkojmë të arrijmë nuk është vetëm një Kod teknikisht korrekt, por një Kod që reflekton drejtësinë që duam si shoqëri: një drejtësi që garanton siguri juridike, që është në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe që kontribuon drejtpërdrejt në objektivin tonë kombëtar, përafrimin dhe integrimin me ligj dhe standard me Bashkimin Evropian,” u shpreh ministri.

Në mbyllje, Lamallari kërkoi vijimin e bashkëpunimit mes institucioneve për të siguruar një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, duke theksuar se Kodi i ri Penal duhet të jetë në funksion të qytetarëve dhe shtetit të së drejtës.