Ish-ministri i Ekonomisë së PS-së, Arben Malaj dhe një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Nanos, ka marrë pjesë në cermoninë mortore që e zhvilluar në nder të liderit historik të së majtës. Malaj u shpreh se Fatos Nano ka lënë pas një trashëgimi të madhe politike, e cila do të shërbejë si pikë referimi.
Ndër të tjera ai tha se Fatos Nano ishte një njeri i ditur, liberal dhe që qeverisjen e tij ia kushtoi Shqipërisë dhe popullit, për të zhdukur kujtimet e ’97-ës dhe për të sjellë paqen sociale.
“Ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve. Ajo që do të mbetet nga Fatos Nano në të gjithë tranzicionin shqiptar, është trashëgimia e tij politike, e cila për mua dhe kolegët e mi do të shërbejë si një pikë referimi, por dhe si një model inspirimi për të rinjtë. Ishte erudit, mendjehapur, ishte liberal dhe u fokusua të gjëja që kishte më të rëndësishme Shqipëria, që ishte paqja sociale. E gjithë qeverisja e tij ishte e fokusuar në këtë drejtim për të gjetur hapësirën për të harruar ’97-ën dhe për të ndërtuar paqen duke lënë hapësira përfaqësimi në institucionet kushtetuese dhe për opozitën e vendit. Është një model i veçantë dhe të shpresojmë që do të shërbejë si inspirim”, tha Malaj.




















