Task Forca e Përbashkët për Migracionin, Britani e Madhe-Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Maqedoni e Veriut, front operacional i konsoliduar kundër fenomeneve shqetësuese të kohës, lëvizjeve migratore ilegale dhe qarkullimit të aseteve të krimit.
Task Forca, fillimisht produkt i bashkëpunimit të ngushtë bilateral Policia e Shtetit-partnerë britanikë, tashmë ka marrë një karakter gjithëpërfshirës rajonal dhe është shndërruar në një model suksesi për t’u ndjekur dhe nga shtetet e Europës.
Sesioni i rradhës në kuadër të Task Forcës, u zhvillua ditën e sotme, në Tiranë, dhe në të morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, Zëvendësdrejtoresha e Drejtorisë së Inteligjencës dhe Operacioneve Ndërkombëtare në Ministrinë e Brendshme të Britanisë së Madhe, znj. Vikki Pullen, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, Drejtori në detyrë i Policisë së Malit të Zi, z. Lazar Ščepanović, Drejtor i Përgjithshëm i Byrosë së Sigurisë Publike të Maqedonisë së Veriut, z. Aleksandar Janev, si dhe drejtues të lartë të policive rajonale.
Takimi i sotëm, dëshmi e angazhimit serioz dhe të vendosur të policive partnere në rajon dhe agjencive ligjzbatuese në Britani të Madhe, për të luftuar emigracionin e kundërligjshëm, i cili cenon sigurinë publike, krijon terren për paligjshmëri kufitare, si dhe mundëson lëvizjen e kontigjentin kriminal që synon t’i shmanget drejtësisë së shtetit ku ka ardhur pasoja e veprimtarisë së tij dhe qarkullimin ndërkombëtar të aseteve kriminale, përfshirë kriptomonedhat.
Gjatë takimit, u konsoliduan urat ekzistuese të bashkëpunimit, sa i përket shkëmbimit imediat të informacioneve, patrullimeve të përbashkëta në kufijtë e gjelbër, koordinimit të veprimeve operacionale në pikat e kalimit kufitar, intensifikimit të kontrolleve dhe dedektimeve me pajisje teknologjike bashkëkohore, si dhe krijimit të skuadrave të përbashkëta hetimore, veprime të cilat do të rezultojnë me finalizimin e operacioneve policore me impakt rajonal.
Drejtori i Përgjithshëm Drejtues Madhor Ilir Proda, bashkëdrejtues i këtij sesioni, gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, tha ndër të tjera:
“Në bashkëpunim me autoritetet britanike, janë realizuar 49 operacione riatdhesimi, duke mundësuar kthimin e 2099 shtetasve shqiptarë me procedura korrekte dhe transparente, realizuar duke pasur në fokus të veçantë respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Në vijim, tentativat e kalimit të kanalit drejt Mbretërisë së Bashkuar me gomone janë ulur ndjeshëm, konkretisht nga 12 753 raste në vitin 2022 në 644 raste në vitin 2024. Një rënie drastike, e cila dëshmon ndikimin real që mund të ketë bashkëpunimi i strukturuar.
Shqipëria ka arritur rezultate të rëndësishme, por as Shqipëria, as cilido vend tjetër i rajonit nuk mund të përballet vetëm me këto sfida. Migracioni i parregullt që synon BE-në prek të gjithë Ballkanin Perëndimor. Rrjetet kriminale që shfrytëzojnë qytetarët tanë përfitojnë atje ku gjejnë hapësirë.
Prania juaj sot këtu është më shumë se protokoll, është mundësi reale për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi rajonal. Ne jemi të gatshëm të ndajmë modelet tona operative, të ofrojmë eksperiencën e Task Forcës sonë dhe të ndërtojmë mekanizma të përbashkët për parandalimin, verifikimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar.




















