Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar sot dërgimin e trupave malazeze në misionin e NATO-s për mbështetjen e Ukrainës. Vendimi u mor pas votimit në seancën parlamentare, ku 44 deputetë u shprehën pro, pesë kundër dhe dy abstenuan.
Për këtë nismë votuan deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Lëvizjes “Evropa Tani” (PES), Demokratëve të Malit të Zi, Socialdemokratëve (SD), Demokracisë së Re Serbe (NSD), Aleancës së Qytetarëve “CIVIS”, Forumit Shqiptar, Partisë Boshnjake si dhe disa deputetë të pavarur.
Kundërshtimin e shprehën përfaqësuesit e Partisë Popullore Demokratike (DNP) dhe deputeti i Malit të Zi të Bashkuar, Vladimir Dobriçanin, ndërsa përmbajtje treguan deputetët e Partisë Popullore Socialiste (SNP).
Pas votimit, Ambasada e Ukrainës në Mal të Zi reagoi me një mesazh falënderimi, duke e cilësuar këtë vendim si një akt solidariteti të rëndësishëm.
“Jemi thellësisht mirënjohës Kuvendit të Malit të Zi për miratimin e pjesëmarrjes në misionin NATO Security Assistance and Training for Ukraine (NSATU). Faleminderit Malit të Zi, mik i çmuar, për mbështetjen në këto kohë të vështira,” thuhet në reagimin e ambasadës.




















