Operacioni për vendosjen e ligjshmërisë në ndërtim në zonën e Farkës ka sjellë rezultate të prekshme gjatë javës së parë të zbatimit, me prishje ndërtimesh, gjoba të konsiderueshme dhe procedime penale ndaj personave të përfshirë në shkelje.

Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë inspektuar rreth 65 objekte, përfshirë vila dhe ndërtime kolektive. Janë prishur 2,736 m² hapësira të ndërtuara pa leje, ndërsa ndaj subjekteve përkatëse janë vendosur gjoba që kapin vlerën mbi 1 milion euro. Për 18 persona ka nisur procedimi penal, mes tyre 13 inspektorë, të dyshuar për abuzim me detyrën ose mosveprim përballë shkeljeve.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, theksoi se operacioni do të vijojë pa afat të përcaktuar, me synimin për të frenuar fenomenin e ndërtimeve pa leje dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve te zbatimi i ligjit.

“Operacioni do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, që çdo lek i investuar nga qytetarët të përkthehet në pronë me cilësinë, planimetrinë edhe standardet e premtuara dhe çdo pëllëmbë e zaptuar t’i kthehet komunitetit,” deklaroi Koçiu.

Ky aksion është pjesë e një procesi më të gjerë kombëtar që synon mbrojtjen e hapësirës publike. Autoritetet bëjnë të ditur se kontrollet do të shtrihen edhe në zona të tjera të vendit, aty ku identifikohen ndërtime që nuk i binden ligjit.