Jeta e Michael Schumacher, shtatë herë kampionit të Formula 1, mbetet e mbuluar me mister pas aksidentit të tij me ski në vitin 2013 në Alpet Franceze. Richard Hopkins, një mik i ngushtë dhe anëtar i komunitetit të Formula 1, foli me SPORTbible rreth gjendjes aktuale të Schumacher dhe privatësisë së rreptë që familja e tij ruan. “Nuk mendoj se do ta shohim më kurrë Michaelin. Ndihem pak në siklet të flas për gjendjen e tij sepse për arsyet e tyre familja dëshiron ta mbajë private”, tha ai.

Aksidenti ndodhi vetëm një vit pas tërheqjes së tij nga Formula 1 dhe i shkaktoi dëmtime të rënda në tru, duke e lënë atë në koma për disa muaj. Që atëherë, ish-piloti ka qenë nën kujdesin e gruas së tij Corina dhe një ekipi mjekësor, pa asnjë informacion të saktë rreth shëndetit të tij përveç faktit se rehabilitimi i tij vazhdon në Zvicër dhe në shtëpinë e tij në Mallorca. “Nuk kam dëgjuar asgjë kohët e fundit. Kuptoj që ai ka një mjek finlandez, një mjek personal”, tha Hopkins.

Rrethi i njerëzve që mund të vizitojnë Schumacherin është jashtëzakonisht i vogël. Hopkins theksoi mungesën e aksesit në informacion të drejtpërdrejtë rreth ish-pilotit: “Mund të bëj një koment ose të shpreh një mendim, por nuk jam në rrethin e ngushtë. Nuk jam Jean Todt, nuk jam Ross Brawn, nuk jam Gerhard Berger, që viziton Michaelin. Jam shumë larg kësaj.”

Kur u pyet nëse kishte qenë në kontakt me dikë që e kishte parë Schumacherin pas aksidentit, ish-inxhinieri i McLarenit ishte i prerë: “Nuk mund të them se jam i afërt me Jean Todt, ose Ross, ose Gerhard. Edhe nëse do të isha, nuk mendoj se do të ta tregoja.”

Hopkins e sheh sekretin si një shenjë respekti për familjen. “Ekziston një respekt midis atyre që vizitojnë Michaelin për të mos ndarë asgjë. Kjo është ajo që dëshiron familja. Mendoj se është e drejtë dhe respektuese për familjen. Edhe nëse do të dija diçka, familja do të zhgënjehej nëse do ta zbuloja”, tha ai në një intervistë me SPORTbible.

Sekreti që rrethon Schumacherin është përforcuar nga çështjet e fundit gjyqësore. Më herët këtë vit, tre persona u dënuan për përpjekje për të shantazhuar familjen Schumacher duke kërcënuar të publikojnë imazhe mjekësore, video dhe dosje personale, duke kërkuar 12 milionë paund. Familja, e pakënaqur me dënimet, njoftoi qëllimin e saj për të apeluar. Ish-drejtori operativ i Red Bull foli gjithashtu për trashëgiminë sportive dhe natyrën konkurruese të gjermanit.

“Pilotët e Formula 1 janë individë kompleksë, por të sigurt. Ata kanë ardhur në Formula 1 sepse besojnë në aftësitë e tyre dhe marrin forcë nga kjo, dhe nga të gjithë ata që u thonë atyre se sa të mirë janë. Michael ndoshta mori më shumë forcë nga të tjerët. Kjo padyshim që ushqeu besimin e tij”, shpjegoi ai. Ai shtoi se me çdo sukses, besimi i Schumacher u rrit, gjë që përkthehej në performanca edhe më të mëdha në pistë.
Në jetën e tij personale, Schumacher ishte ndryshe sipas tij. “Mund të mendoni se ai ishte një person i vështirë në jetën e tij private, por nuk ishte. Ai ishte padyshim një baba dhe bashkëshort i mrekullueshëm”, zbuloi Hopkins në një intervistë me gazetën The Sun.
Trashëgimia e Schumacher mbetet e pandryshuar në kujtesën e sportit motorik, me 91 fitore në Grand Prix, 68 pole postition dhe 77 xhiro më të shpejta.