Momente paniku janë regjistruar në qendër të kryeqytetit italian, pranë Forumit të famshëm Roman.
Një pjesë e kullës mesjetare Torre dei Conti u shemb ditën e sotme gjatë punimeve për rikonstruksion, duke plagosur rëndë të paktën një punëtor. Qindra turistë u bënë dëshmitarë të ngjarjes, ndërsa zjarrfikësit përdorën shkallët mobile për të shpëtuar punëtorët nga pjesët e larta të kullës. Tre punëtorë u nxorën të gjallë, ndërsa një i katërt mbeti i bllokuar brenda strukturës.
Gjatë operacionit të shpëtimit, një pjesë tjetër e kullës u shemb papritmas, duke ngritur re pluhuri mbi zonën përreth. Zjarrfikësit që ndodheshin në shkallët mobile u tërhoqën menjëherë për të shmangur rreziqet.
Torre dei Conti, e ndërtuar në shekullin e 13-të nga Papa Innocent III për të strehuar familjen e tij, ka pësuar dëmtime të mëdha gjatë një tërmeti në vitin 1349 dhe ka pësuar shembje të tjera në shekullin e 17-të.
Në vendngjarje ishin të pranishëm edhe Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, dhe Ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, për të monitoruar situatën. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh, duke rikujtuar rrezikun që përfaqësojnë strukturat historike në qendrat turistike.




















