Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka bërë me dije se operacioni në zonën e Farkës kundër ndërtimeve pa leje është pjesë e një fushate të gjerë për vendosjen e ligjshmërisë në territor në të gjithë vendin.

Sipas saj, kontrollet kanë treguar se abuzimet me territorin shpesh lidhen jo vetëm me veprime individuale, por edhe me mungesë përgjegjësie nga punonjës publikë.

Koçiu theksoi se askush nuk do të mbrohet nga pozicioni që mban kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit dhe se masat do të zbatohen në çdo nivel përgjegjësie. Ministrja paralajmëroi se çdo ndërtim jashtë lejes do të përballet me gjoba, ndjekje penale dhe prishje të menjëhershme, ndërsa u bëri apel qytetarëve të verifikojnë dokumentacionin përpara blerjes së një prone.

“Vijojmë me operacionin për vendosjen e ligjshmërisë në territor si pjesë e një procesi të gjerë që po zbatimin në të gjithë vendin. Kontrollet kanë treguar që abuzimet me territorin nuk janë vetëm çështje individësh, por që shpesh lidhet me mos përmbushjesh të detyrës së punonjësve publikë.

Askush nuk do të mbrohet nga pozicioni që mban kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit. Prandaj masat po shtrihen në çdo nivel përgjegjësie. Dua të theksoj qartë, ligji është i barabartë për të gjithë dhe zbatimi i tij është një garanci për zhvillim të drejtë dhe të qëndrueshëm.

Në këtë proces drejtuesit duhet të jenë të parët që tregojnë kujdes. Shfrytëzimi i çdo metri katror më shumë nga ajo që është lejuar do të paralizohet rëndë me gjobë, ndjekje penale, dhe prishje të menjëhershme. Në të njëjtën kohë u bëj thirrje edhe një herë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm kur blejnë një pronë të verifikojnë dokumentacionin dhe statusin ligjor të objektit”, tha ministrja Albana Koçiu.