Fotoja e parë e reperit dhe biznesmenit Sean “Diddy” Combs pas dënimit të tij është bërë publike, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e mediave amerikane.
55-vjeçari u fotografua më 31 tetor në oborrin e burgut Federal Correctional Institution, Fort Dix, në New Jersey, ku u transferua një ditë më parë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit prej 50 muajsh për krime seksuale federale.
Në imazhin e shpërndarë nga The New York Post, Combs shihet i veshur me një xhaketë blu të errët dhe kapelë, me mjekër të bardhë të plotë dhe një shprehje serioze, teksa ecën në oborrin e institucionit.
Burime nga brenda burgut kanë bërë të ditur se Diddy është vendosur në një njësi të tipit dormitor, që do të thotë se ndan hapësirën me të burgosur të tjerë. Ai ndjek të njëjtin regjim ushqimor si të gjithë të dënuarit e tjerë, me mëngjes në orën 6:00 të mëngjesit, që përfshin fruta, tërshërë, bukë me thelb të plotë, kafe dhe qumësht.
Dreka e 1 nëntorit ka përfshirë fajita pule me oriz, fasule të zeza dhe misër, ndërsa darka e orës 16:00 përbëhej nga mish viçi me pure patatesh dhe perime të përziera.
Ky është një ndryshim i madh për Combs, i cili gjatë qëndrimit në qendrën Metropolitan Detention Center në Brooklyn kishte krijuar një reputacion pozitiv, duke organizuar edhe një kurs biznesi dhe sipërmarrjeje gjashtëjavor me titullin “Free Game with Diddy” për të burgosurit.
Reperi dhe producenti muzikor u dënua muajin e kaluar në Gjykatën Federale të Southern District në New York për dy akuza për transport për prostitucion, ndërsa u lirua nga akuzat më të rënda për trafikim seksual dhe drejtim rrjeti kriminal, akuza që mund ta kishin çuar drejt një dënimi të përjetshëm. Rasti i tij vazhdon të ngjallë debat të gjerë në opinionin publik amerikan, ndërsa figura e Diddy-t mbetet një nga më kontradiktoret në industrinë e muzikës dhe biznesit të argëtimit. /TAR





















