Nga Aladin Stafa
Ndërsa gjysmës së kësaj dekade po i vjen fundi, me orët që kalojnë me shpejtësinë e dritës, duket se bota sa vjen e ashpërsohet dhe e ardhmja shihet shumë më e paqëndrueshme. Prej disa të dhënave më të fundit nga një organizatë ndërkombëtare mbi parandalimin e vetvrasjeve (IASP) me qendër në Uashington D.C., në vitin 2019 mësojmë se rreth 703.000 njerëz kanë kryer vetëvrasje në mbarë botën çdo vit dhe një në 100 vdekje është rezultat i këtij akti të rëndë mbi jetën.
Në shumë vende, muaji nëntor njihet si periudha e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor dhe fizik të burrave, përmes fushatës globale “Movember”. Ky muaj na kujton se pas çdo buzëqeshjeje të heshtur mund të fshihet një betejë e padukshme që kërkon vëmendje, mirëkuptim dhe guxim për t’u folur.
Por ajo që fshihet e nuk thuhet me zë të lartë është se shkalla globale e vetëvrasjeve është dy herë më e lartë tek burrat sesa tek gratë. Dhe jemi në kërkimin shkencor vetëm për vitin 2019. Gjithkush do të mendojë që shifrat do kenë një luhatje tjetër në vitet pasardhësë për secilën gjini.
Por kërkimi nuk rezulton kështu. Vitet që pasojnë përvec numrit si tregues, nuk e ndryshon radhën e gjinisë.
Viktimat e këtij akti të rëndë, në secilin vit që vjen më pas, janë sërish burrat. Në 2020, në 2021 e deri në vitin 2024.
Gjithmonë në rritje
Po cfarë po ndodh? Cila është arsyeja? Faji i shekullit apo cfarë tjetër?
Realitetet tregojnë qartazi se njëra gjini po has më shumë vështirësi në përshtatje dhe dëshirë për jetën. Pikërisht ajo e ashtuquajtuara më e “forta” në planet, meshkujt. Nëse këtë shekull për gratë është folur mjaft, janë mbështetur ato apo dhe fokusuar më shumë vëmendja, jo njëjtë ka ndodhur kjo situatë me burrat. Përkundrazi, në cdo aspekt jetësor roli i tyre merret si i mirëqenë për të qenë udhërrëfyes, vendimtar e luftarak pa marrë parasysh stigmën e shoqërisë.
E aq më tepër të flitet për shëndetin e tyre mendor. Një temë thuajse e harruar, duke krijuar në nënvetëdijen tonë një qenie robotike, gati për cdo betejë duke mohuar qasjen e tyre emocionale. Sic dhe e pamë, statistikat tregojnë për një rritje të frikshme të vetvrasjeve vitet e fundit, duke e konsideruar atë dhe si rrezikun më imediat të kohës për të kuptuar se forca mendore e dominon atë fizike.
Por cfarë e shtyn një mashkull në këtë akt final?
Presioni i shoqërisë?
Në vitin 2025, një pjesë e mirë e realitetit jetohet në rrjete sociale, duke na ofruar modele se nëse nuk je i famshëm nuk ja vlen të jetosh. Por në fund fare cfarë definon shoqëria me famë?
Për meshkujt koha ecën dyfish me shpejt se për femrat. ‘Suksesi’ i tyre matet me statuse e të mira materiale dhe pasja e këtyre dy elementëve duhet të ndodhë sa më parë për të mënjanuar komentet përbuzëse dhe marrjen e një cilësimi si “dështak”. Ndaj dhe për t’ju larguar presionit, sfidave dhe realitetit, varësia ndaj alkoolit dhe substancave narkotike është rritur ndjeshëm tek meshkujt duke i bërë ata disa herë me vulnerabël se femrat.
Ana e tyre psikologjike bie lehtë në kurthin e dorëzimit pa marrë parasysh pasojat.
Të jetosh apo të performosh?
Në shumë shoqëri, burrat rriten nën hijen e rëndë të turpit — u thuhet vazhdimisht “bëhu burrë”, për të mbajtur dhimbjen brenda dhe heshtjen si një armatim. Vështirësitë nuk shihen si pjesë e natyrshme e njeriut por si dobësi. Imagjino një djalë që po vuan së brendshmi ndërsa i thuhet se lotët janë të ndaluar. Se dhimbja duhet të fshihet thellë e duhet mbyllur pas një buzëqeshjeje të detyruar duke cuar kështu në një analfabetizëm emocional.
Shumë burra ecin në jetë pa fjalët për ndjenjat që i përzihen brenda — ankthin, trishtimin, frikën apo dhe konfuzionin. Është sikur të jetosh në një vend të huaj pa hartë, apo dhe pa gjuhë për të përshkruar stuhitë brenda teje. Pa mjetet për të shprehur atë që ata ndiejnë, duke u bërë kështu dhe robër të heshtjes së tyre.
Edhe hapësirat ku flitet për shëndetin mendor shpesh e përjashtojnë realitetin e burrave. Skena publike e vulnerabilitetit zakonisht i kushton vëmendje rrëfimeve të grave dhe zërave të tyre të butë. Por dhimbja e një burri nuk duket gjithmonë ajo që shohim.
Ajo fshihet pas sjelljeve që shoqëria duket sikur i toleron: ai punon shumë për ta harruar atë, tërhiqet në izolim, jëton një heshtje të mpirë ose shpërthen në zemërime të pakontrolluara. Pa kuptuar se brenda këtij karakteri fshihet një shpirt i brishtë.
Dhe padyshim këto nuk janë shenja force por sinjale dhimbjeje të pëshpëritura në mënyra që bota shpesh i injoron pa kujdes.
Që në kohët e lashta, njerëzit përballeshin me sfida të mëdha që i shkaktonin stres dhe ankth — luftërat e pafundme, pasiguria për të ardhmen dhe presioni për të ruajtur nderin dhe pozitën në shoqëri. Nëse i referohemi antikitetit luftëtarët e Spartës dhe qytetarët e Athinës ndjenin në shpirt të njëjtat frikëra dhe dhimbje emocionale që sot përjetojnë njerëzit në shoqëritë moderne. Kjo tregon se, pavarësisht ndryshimeve në kohë dhe rrethana, thelbi i sfidave njerëzore mbetet i njëjtë.
Në kohën e Platonit dhe Aristotelit, filozofët flisnin për nevojën e harmonisë, përballë sfidave të jashtme dhe të brendshme. Ata kuptonin se pa njohjen dhe menaxhimin e emocioneve, njeriu nuk mund të gjejë paqe të qëndrueshme. Nëse burrat nuk mësojnë të njohin dhe shprehin emocionet e tyre, ne po harrojmë një mësim të vjetër por të përjetshëm.
Sot, megjithëse sfidat marrin formë kapitaliste si p.sh., konkurrenca e lartë në punë, presionet sociale, ritmi i shpejtë i jetës, gjithsesi burimet e stresit dhe të dhimbjes mbeten të ngjashme.
Në këtë kontekst, ajo që quajmë “forcë” shpesh është vetëm një maskë për të mbuluar frikën dhe brishtësinë. Filozofët e lashtë na mësojnë se forca e vërtetë qëndron në njohjen e vetvetes dhe në kapërcimin e brishtësisë, jo në shtypjen e saj. Për fat të keq, shumë kultura sot vazhdojnë t‘u imponojnë burrave detyrimin për të fshehur dhimbjen, duke i lënë ata të luftojnë në heshtje me stresin e përditshëm, një luftë që në thelb nuk është shumë ndryshe nga ato të lashtësisë.




















