Nga Bill Emmott
Një “luftë” e çuditshme përfshin tani botën rreth asaj se kush po planifikon të testojë armët e tij bërthamore për herë të parë pas 30 vjetësh dhe çfarë mund të zbulojë kjo për forcën, guximin apo agresivitetin e Donald Trump dhe Vladimir Putin.
Ky, në njëfarë mënyre, është një shpërqendrim qesharak krahasuar me çështjen shumë më të rëndësishme bërthamore që fuqitë e mëdha duhet të adresojnë: Zgjerimin e shpejtë të arsenaleve bërthamore të “partnerit strategjik” të Rusisë, Kinës, dhe refuzimin e saj për të zhvilluar bisedime serioze mbi kontrollin e armëve ose transparencën.
Kërcënimi për të provuar armët bërthamore është thjesht një shfaqje e dukshme e arrogancës, duke treguar se liderët aktualë të dy shteteve bërthamore më të rëndësishme kanë humbur plotësisht ndjenjën e seriozitetit dhe përgjegjësisë që gjatë rreth 40 viteve të Luftës së Ftohtë ka ndihmuar në ruajtjen e sigurisë globale.
Traktati i vitit 1963 për ndalimin pjesor të testimeve bërthamore, i nënshkruar nga SHBA-të, Bashkimi Sovjetik dhe Mbretëria e Bashkuar, ndaloi çdo test në ajër, hapësirë ose nën ujë.
Testimet e fundit bërthamore u kryen nga SHBA-të në vitin 1992, ndërsa më 1996 Kombet e Bashkuara miratuan Traktatin për ndalimin e plotë të testimeve bërthamore, që synonte ndalimin total. Ky traktat, megjithatë, nuk ka hyrë kurrë në fuqi, edhe pse është nënshkruar nga shumica e vendeve.
Rifillimi i testimeve bërthamore nga Rusia ose SHBA-të do të bënte të pavlefshme këto marrëveshje kolektive dhe do të refuzonte idenë e kufizimeve të dakorduara. Kjo do të tregonte se marrëdhëniet mes superfuqive bërthamore po prishen dhe se nuk mund të besohet më te rregullat e vendosura prej kohësh për sjelljen dhe transparencën.
Kjo do të mund të inkurajonte edhe vende të tjera të kërkonin armë bërthamore dhe mund të bënte që një krizë e mundshme mes Rusisë dhe SHBA-ve të bëhej po aq e rrezikshme sa kriza e raketave në Kubë e vitit 1962, që çoi më pas në Traktatin e ndalimit pjesor të testimeve në 1963.
Kur bëhet fjalë për armët më shkatërruese në planet, papërgjegjshmëria nuk mund të justifikohet. Megjithatë, për momentin, kjo shfaqje arrogante mes Putinit dhe Trumpit nuk duket se ka potencial të kthehet në diçka realisht e rrezikshme. Gjatë mandatit të tij të dytë, Trump nuk ka treguar dëshirë për të sfiduar Putinin mbi krimet e luftës në Ukrainë; përkundrazi, ai e ka lehtësuar jetën për Rusinë.
Një nga rreziqet më të mëdha të kësaj grindjeje me zhurmë të madhe për testimet bërthamore është se shpërqendron vëmendjen nga një marrëdhënie ku një krizë është e mundshme: ajo mes SHBA-ve dhe Kinës. Këto dy fuqi ekonomike kanë rënë dakord për një armëpushim njëvjeçar në betejën e tyre tregtare, por ende kanë mosmarrëveshje thelbësore mbi Tajvanin dhe kontrollin strategjik të Paqësorit Perëndimor që Tajvani mund të sigurojë. Nuk ka tregues për një pushtim të menjëhershëm të Tajvanit ose një bllokadë detare nga Kina, por fakti që Kina po punon për të dyfishuar arsenalin e saj bërthamor brenda pesë viteve të ardhshme është jashtëzakonisht shqetësues.
Që nga momenti që u bë shtet bërthamor në 1964, Kina ka ndjekur një strategji të quajtur “deterrencë minimale”. Kjo do të thotë që Kina, si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, ka zgjedhur të posedojë një numër bombash bërthamore të mjaftueshme për të bindur çdo armik potencial se mund të përgjigjet në rast sulmi, por jo aq sa të paraqesë një kërcënim të drejtpërdrejtë për vendet e tjera. Madhësia reale e arsenalit të saj mbetet sekret shtetëror, por deri pesë vjet më parë besohej se Kina kishte rreth 250 koka bombash, krahasuar me 5 mijë e 500 të Rusisë dhe 5 mijë e 100 të SHBA-ve.
Sipas raporteve vjetore për Kongresin të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve, gjatë pesë viteve të fundit Kina ka më shumë se dyfishuar arsenalin e saj bërthamor, duke e çuar në rreth 600 predha. Bazuar në satelitë që tregojnë ndërtimin e raketave të reja, besohet se Kina synon të arrijë 1 mijë–1 mijë e 500 predha deri në fillim të viteve 2030. Nuk ka deklarata zyrtare për arsyet e këtij zgjerimi, por mund të jetë për të patur një arsenale ekuivalent me atë të Rusisë ose SHBA, pa arritur nivelet e jashtëzakonshme të këtyre vendeve.
Ky zhvillim lidhet edhe me çështjen e Tajvanit. Me qëllimin e deklaruar për të rivendosur kontrollin mbi Tajvanin për herë të parë që nga kohët kur ishulli iu dorëzua Japonisë në 1895, Kina duhet të përgatitet për një konflikt të mundshëm jo vetëm me Tajvanin, por edhe, teorikisht, me SHBA-të. Nuk mund të thuhet me siguri nëse një konflikt i tillë do të ndodhë dhe nëse SHBA-të do të përfshihen, por zgjerimi i armëve bërthamore nga Kina sugjeron se një pjesë e strategjisë së saj është të sigurojë kapacitetin bërthamor si mjet frikësimi ndaj përfshirjes amerikane, jo vetëm si kërcënim i përgjithshëm, por me idenë se në rast konflikti Kina mund të godasë Shtetet e Bashkuara ose asetet e tyre.
Pavarësisht kontekstit, Kina pritet të vazhdojë të rrisë arsenalin e saj derisa ta konsiderojë të dobishëm. Rreziqet janë klasike si në kohën e Luftës së Ftohtë: mungesa e informacionit shkakton mosbesim dhe keqkuptime që mund të jenë katastrofike në kohë krize. Disa administrata amerikane kanë tentuar të bindin Kinën për të negociuar traktate për kontrollin e armëve, por deri tani Kina ka refuzuar.
Një prishje e marrëveshjeve mes SHBA-ve dhe Rusisë për testimet bërthamore rrit rrezikun e ndërprerjes së bisedimeve të ardhshme mbi kontrollin e armëve mes të gjitha superfuqive. Putin dhe Trump do të vazhdojnë të shfaqin forcën sipas mënyrës që mendojnë të dobishme, por do të ishte shumë më mirë nëse Trump dhe Xi Jinping do të arrinin në përfundimin se midis dy superfuqive më moderne të botës do të ishte e dobishme një qasje më e matur dhe përgjegjëse. Përveç bisedimeve tregtare, duhet nisur një dialog serioz mbi kontrollin e armëve dhe transparencën, gjë që mund t’i japë Xi mundësinë të diferencohet nga Putin.














