Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka zhvilluar të premten bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kremlin, duke injoruar sërish përpjekjet e partnerëve të tij të Bashkimit Evropian për ta izoluar Moskën pas pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë, pothuajse katër vjet më parë. Kjo është vizita e dytë e Orbanit në Moskë që nga viti i kaluar, dhe ai konsiderohet gjerësisht si partneri më i ngushtë i Putinit mes të gjithë udhëheqësve të BE-së.
Hungaria është një nga pak vendet e BE-së që vazhdon të importojë sasi të mëdha të karburanteve fosile nga Rusia, dhe Orban ka kundërshtuar fuqishëm përpjekjet e bllokut për të shkëputur vendet anëtare nga furnizimi me energji ruse.
“Ne kemi fusha të rëndësishme bashkëpunimi dhe nuk kemi hequr dorë nga asnjëra prej tyre, pavarësisht presionit të jashtëm”, tha Orban. “Energjia ruse është baza e furnizimit të Hungarisë me energji, tani dhe në të ardhmen”, ka shtuar ai.
E në fjalën e tij hapëse gjatë takimit në Kremlin, Putini e vlerësoi “qëndrimin e balancuar” të Orbanit mbi luftën në Ukrainë.
Kryeministri hungarez Viktor Orban ka arritur në Moskë për bisedime energjetike me presidentin rus Vladimir Putin, një hap i rrallë nga një udhëheqës evropian në kushtet e luftës në Ukrainë.
“Qëllimi është të arrijmë në Moskë, jo thjesht të nisim udhëtimin, por të mbërrijmë aty – gjë që nuk është aq e thjeshtë sa zakonisht, për shkak të luftës. Do të marrim një rrugë të gjatë. Sot do të takohemi me presidentin rus”, tha Orban për radion shtetërore hungareze para se të nisej nga aeroporti i Budapestit të premten në mëngjes.
Kjo është vizita e dytë e Orbanit në Moskë që nga viti i kaluar, ndërsa ai konsiderohet gjerësisht si aleati më i afërt i Putinit mes udhëheqësve të Bashkimit Evropian, raporton AP. Orban tha se fokusi i bisedimeve me Putinin do të jetë sigurimi i vazhdueshëm i furnizimit të Hungarisë me naftë dhe gaz rus, sektorë ndaj të cilëve SHBA-ja ka vendosur sanksione.
“Sipas pikëpamjes hungareze, synimi i takimit është të garantojë furnizimin energjetik të vendit – që do të thotë gazi dhe nafta. Hungaria i merr të dyja përmes tubacioneve nga Rusia”, tha kryeministri hungarez.
“Amerikanët kanë vendosur sanksione ndaj kompanive energjetike ruse. Jo shumë kohë më parë ishim në Uashington për të kërkuar një përjashtim për Hungarinë. Dhe ia dolëm, gjë që është shumë e rëndësishme. Tani na duhen vetëm gazi dhe nafta, të cilat mund t’i blejmë nga rusët”, shtoi ai.
Hungaria mbetet ndër të paktat vende të BE-së që vazhdon të importojë sasi të mëdha të karburanteve ruse dhe është kundërpërgjigjur me forcë përpjekjeve të bllokut për të shkëputur vendet anëtare nga energjia ruse.
Sipas Orbanit, çmimet e larta të energjisë dëmtojnë ekonomitë dhe familjet evropiane, ndërsa qasja në naftë dhe gaz më të lirë nga Rusia i lejon Hungarisë të mbajë kostot e shërbimeve të ulëta për familjet.




















