Nuk e ka harruar atë finale të çmendur. Nuk mund të jetë ndryshe për spanjollin bask, Shabi Alonso, që realizoi një nga golat e Liverpulit në sfidën më të jashtëzakonshme për titull në Champions, përballë Milanit, e pastaj shënoi edhe 11-metërshin e tij dhe ngriti lart trofeun e çmuar. Kanë kaluar 20 vjet që nga ajo mbrëmje maji e 2005-ës në Stamboll, dhe Shabi Alonso do të kthehet në stadiumin “Anfild” si kundërshtar I të kuqve.
Tashmë, trajner, ai drejton Realin pasi fitoi titullin e Kupën në Gjermani me Leverkusenin, dhe sonte në orën 21:00, madrilenët e tij do të jenë përballë të kuqve sërish në Ligën e Kampionëve.
Gjigandët e Spanjës, skuadra më e madhe e futbollit botëror me 15 Champions, shkoi në Angli me disa mungesa si kapitenin Karvahal, argjentinasin adoleshent Mastantuono, si dhe mbrojtësit Rydiger e Alaba. Gjithsesi, faza sulmuese duket e plotë me Kilian Mbapenë në qendër, mbështetur nga Vinisius, Belingham e Arda Gyler.
Reali është në formë këtë sezon, në krye të La Ligës dhe tri fitore në tri ndeshje në Ligën e Kampionëve.
Po Liverpuli?
Të kuqtë kanë një formë tmerrësisht negative edhe pse fituan 5-1 në ndeshjen e fundit në Champions, luajtur në Gjermani ndaj Ajntrahtit të Frankfurtit. Në 8 ndeshjet e fundit të sezonit, në Europë dhe Angli, kanë pësuar gjashtë humbje e kanë vetëm dy suksese.
Trajneri Slot pritet të mos ketë suedezin e sulmit, Isak, por gjithsesi problemet në formacion janë të pakta me Salah, Gakpo, Soboslai dhe Ekitike titullarë në sulm, dhe gjermanin Virc në stol. Dy ekipet kanë traditë të gjatë duelesh në një klasike europiane, ndërsa kanë fituar gjithsej Championsin 21 herë.
Liverpuli ka bilanc më të mirë ndeshjesh, me 7 fitore e 4 humbje, me golat 17-12, dhe ka fituar sfidën e fundit në Champions në “Anfild”, 2-0 sezonin e kaluar. Reali gjithsesi ka fituar dy finalet e fundit në Ligën e Kampionëve, si dhe triumfoi dy vjet më parë 5-2 në Angli.




















