Policia Shtetërore Italiane ka arrestuar një 32-vjeçar shqiptar sapo ai mbërriti nga Tirana në Aeroportin “Valerio Catullo” të Veronës.
Gjatë kontrollit të pasaportave, oficerët e Policisë Kufitare zbuluan se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti evropian nga autoritetet gjyqësore të Mbretërisë së Bashkuar për trafik ndërkombëtar kokaine, shkruajnë mediat italiane.

Sipas autoriteteve britanike, i arrestuari ishte pjesë e një organizate kriminale që vepronte në bregdetin jugor të Anglisë, ku luante rol kyç në përgatitjen dhe shpërndarjen e drogës. Hetimet kanë treguar se 32-vjeçari jo vetëm paketonte kokainën, por edhe drejtonte anëtarë të tjerë të grupit.

Gjatë operacioneve të policisë në Mbretërinë e Bashkuar janë sekuestruar mbi 28 kilogramë kokainë si dhe rreth 175 mijë paund (rreth 200 mijë euro) para të gatshme. Nga hetimet rezulton se midis qershorit dhe dhjetorit 2024, shqiptari kishte përdorur llogarinë e tij në eBay për të porositur materiale paketimi, sasi të mëdha acetoni dhe pulla druri me dizajne të ndryshme. Disa prej stampave përputheshin me ato të gjetura në blloqet e kokainës të sekuestruara.
Pas kryerjes së procedurave në zyrat e Policisë Kufitare, 32-vjeçari u dërgua në burgun e Veronës, ku do të qëndrojë në pritje të ekstradimit drejt Mbretërisë së Bashkuar. Krimi për të cilin akuzohet parashikon dënim maksimal deri në burgim të përjetshëm.