Me afrimin e festave dhe takimeve të shumta familjare e shoqërore, rikthehet edhe debati i përjetshëm: a vlejnë bisedat e vogla?

Sipas një analize të botuar nga The Guardian, përgjigjja është një “po” e qartë dhe shumë prej nesh, thjesht, i keqkuptojnë.

Pse kaq shumë njerëz e nënvlerësojnë “small talk”-un?

Në rrjetet sociale, argumentet kundër bisedave të lehta janë të pafundme, “të kota”, “të lodhshme”. Disa madje i shohin si sipërfaqësore, një mënyrë për të shmangur bisedat me thellësi.

Por, siç thekson The Guardian, ky qëndrim shpesh vjen me një farë arrogance intelektuale, ideja se çdokush duhet të jetë gati në çdo moment të diskutojë për jetën, vdekjen apo qëllimin e universit. Realiteti? Njerëzit thjesht po përpiqen të kalojnë ditën.

Small talk si “zonë sigurie”

Lizzie Post, eksperte e njohur e etikës dhe bashkëpresidente e Institutit Emily Post, i thotë The Guardian se bisedat e vogla janë thelbësore për krijimin e një terreni të sigurt mes dy njerëzve. Ajo e përshkruan këtë format si një mënyrë të lehtë për të hyrë në ritmin e komunikimit pa rrezikuar që të kapërcehet në tema të ndjeshme si politika, feja ose jeta intime.

Sipas saj, small talk është trampolina drejt bisedave të thella, jo pengesa.

Shembulli i fluturimit që thotë gjithçka

Në artikullin e The Guardian përshkruhet një episod domethënës: një bisedë e zakonshme në avion, për motin dhe planet e udhëtimit, që përfundoi duke zbuluar histori personale rreth karrierës, jetës dhe transformimeve të thella shpirtërore të bashkëbiseduesit.

Mesazhi është i qartë: nuk i hyn dot një rrëfimi të thellë duke e nisur me pyetjen “çfarë roli luajtën psilocibinët në martesën tuaj?”. Duhet nisur nga e thjeshta.

Aftësi që duhet të mësohen

The Guardian citon ekspertë që theksojnë se biseda e lehtë është një shkathtësi komunikimi, jo një automatizëm.

Kërkon:
• dëgjim aktiv
• vëzhgim të sinjaleve të tjetrit
• ndërrim temash kur tjetri nuk reagon
• gatishmëri për të pyetur dhe për të dëgjuar

Nëse një person s’po flet fare dhe ju flisni prej pesë minutash? Ka ardhur koha të ndryshoni temën.

Pse njerëzit e urrejnë small talk-un?

Sipas Post, disa kritikë të bisedave të vogla thjesht e shohin veten si protagonistë të domosdoshëm të çdo bisede. Small talk kërkon të dëgjosh tjetrin dhe kjo nuk u pëlqen të gjithëve.

“Qëndrimi në një pishinë të cekët është shpesh më relaksues sesa notimi në det të hapur.”

Pra, nëse dikush ju fton të bisedoni për motin, futbollin, trafikun apo restorantin e ri në lagje, shpesh është rruga më e natyrshme për të krijuar afrimitet. Dhe nëse dikush nis të flasë për lapsat e grafitit për gjysmë ore… atëherë, po, një telefonatë imagjinare është plotësisht e justifikuar.