Kryeministri Rama komentoi nga Roma për ‘Real Story’ situatën politike në vendin tonë, me Partinë Socialiste në krye të mandatit të katërt dhe me demokratët në vorbullën e humbjeve të njëpasnjëshme zgjedhore.

Pyetjes së gazetarit Balla se pse PS nuk po humb zgjedhjet, Rama tha se detyra e socialistëve është të mundin konkurentin. Më tej, Rama tha se sistemi politik në vend është i hapur dhe të gjithë janë të mirëseardhur të hyjnë dhe të bëjnë përpjekjen e tyre.

Sokol Balla: Dhe me këtë lidhet në fakt dhe pyetja ime e fundit e kësaj pjeses së parë pastaj kalojmë pak tek pjesët e rënda të pjesës së dyte, kjo puna e PS-së që nuk humbet dot zgjedhjet…

Edi Rama: Pse duhet t’i humbasim zgjedhjet..

Sokol Balla: Që nuk ka konkurrencë

Edi Rama: Detyra jonë nuk është që ne të krijojmë një konkurrencë të aftë që të na mund, detyra jonë është që të mundim konkurrentin që kemi, çfarë do të thotë kjo, po për çfarë duhet njëherë

Sokol Balla: Ndoshta do të ishte kur ju pyeta për punën e sakrifikimit të pushtetit që ju keni dhe që jua japin shqiptarët, sakrifica për shembull për një vend europian do të ishte që nga ana juaj ju të luftonit që ta hapnit sistemin

Edi Rama: Çfare do me thënë?

Sokol Balla: Sepse ju keni këto kushte kur PD ka hyrë në një proces tretje biologjike dhe ku për momentin shkëndijat e forcave të reja janë ende të zbehta mos do të ishte le të themi dhe dinjitoze në pamje shtetërore që Partia Socialiste që ka marrë misionin e reformës në drejtësi, të reformave të tjera t’i futej dhe sistemit të reformimit politikë të vendit

Edi Rama: Çfarë do me thënë?

Sokol Balla: Të hapte sistemin politik të vendit

Edi Rama: I hapur është sistemi politik, të gjithë janë të mirëseardhur të hyjnë dhe të bëjnë përpjekjen e tyre sepse tjetër është hapja dhe tjetër është copëzimi i sistemit politik duke krijuar kushtet që gjithëfarë lloji partish të marrin pjesë në një proces që më pas bëhet i paqeverisshëm. Ne kemi nevojë të qeverisemi dhe të qeverisim, kemi nevojë të bëjmë reforma, kemi nevojë të bëjmë punët. Nëse ne biem në batakun e 10 partive dhe të lojërave të cirkut mes gjithëfarëlloj speciesh që vërtiten në atë arenën e cirkut nuk kemi asnjë gjasë që të bëjmë gjërat e duhura. Ndërkohë që përtej të gjitha defekteve, gabimeve apo të metave që ne padiskutim i kemi, punët që ne po bëjmë janë punë të dobishme dhe janë punë me duk për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Po rrisim pensionet, pagat, po rrisim pagën minimale.