Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të dielën, 2 nëntor, se për momentin nuk po merr në konsideratë një marrëveshje që do t’i mundësonte Ukrainës të përdorte raketat me rreze të gjatë Tomahawk kundër Rusisë.

Trump ka shfaqur rezerva ndaj planit që Shtetet e Bashkuara të shesin Tomahawk për vendet e NATO-s, të cilat më pas do të dërgohen në Ukrainë, duke theksuar se nuk dëshiron të përshkallëzojë luftën.

“Jo, jo me të vërtetë”, ka thënë Trump për gazetarët gjatë fluturimit nga Palm Beach, Florida, për në Washington, kur u pyet nëse po konsideronte një marrëveshje të tillë, shkruajnë mediat e huaja.

Sidoqoftë, ai ka shtuar se mund të ndryshojë mendim në të ardhmen.

Trump dhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, diskutuan idenë e raketave Tomahawk gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë më 22 tetor 2025. Rutte tha të premten, 31 tetor, se çështja është në shqyrtim dhe se vendimi i fundit i takon Shteteve të Bashkuara.

Raketat Tomahawk kanë një rreze veprimi prej 2,500 km, aq sa për të goditur brenda territorit të Rusisë, përfshirë edhe Moskën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka kërkuar me ngulm këto raketa, por Kremlini ka paralajmëruar përgjigje të ashpër nëse Ukraina furnizohet me to.