Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk do të ketë zëvendësim të zv.kryeministres Belinda Balluku, teksa iu përgjigj një pyetje nga Report Tv, në konferencën e përbashkët për shtyp me komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos.

Rama u shpreh se vendimi i Gjykatës së Posaçme, për pezullimin e Ballukut, do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk u kuptuam. Pezullimi është vendim i një gjykate, që ne do ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese, si një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv. Gjykata Kushtetuese do duhet të na thotë, se cili është qëndrimi i saj. Nuk jemi në kushtet që duke ndërhyrë me forcë në pavarësinë e ekzekutivit, mund të diktohet ndonjë lëvizje e qeverisë. Kështu që për periudhën që flasim, qeveria e Shqipërisë nuk ka zv.kryeministër dhe nuk ka një ministër të Infrastrukturës dhe Energjisë që funksionon”, theksoi ai.