Donald Trump publikoi sot një deklaratë ku pretendon se kongresistja republikane, Marjorie Taylor Greene ka vendosur të tërhiqet për shkak të “rënies së ndjeshme në sondazhe” dhe shqetësimit për një sfidues të mundshëm në primare me mbështetjen e tij.

Presidenti amerikan, në stilin karakteristik, e cilësoi atë si tradhtare ndërsa tha se Greene “nuk do të kishte asnjë shans për të fituar” ndaj një kandidati të mbështetur prej tij.

Lideri amerikan gjithashtu kritikoi marrëdhëniet e Greene me kongresistin republikan, Tom Massie të Kentuckyt, të cilin e quajti “kongresisti më i keq republikan në dekada” dhe “Rand Paul Jr.”, duke e akuzuar se voton kundër linjës së partisë dhe kundër “legjislacionit shumë të mirë”.

Sipas presidentit, raportet me Greene u përkeqësuan “kryesisht sepse ai nuk iu përgjigj telefonatave të saj të vazhdueshme”.
Megjithatë, Trump shtoi se “e vlerëson” Greene dhe e falënderoi për shërbimin ndaj vendit.

As Greene dhe as Massie nuk kanë komentuar ende publikisht mbi deklaratat e Trumpit, ndërsa tensionet brenda krahut të djathtë të Partisë Republikane vazhdojnë të tërheqin vëmendje në prag të ciklit të ardhshëm elektoral.