Prokurori i ri i shtetit amerikan të Georgia, hoqi dorë zyrtarisht nga çështja ndaj Donald Trump dhe personave të tjerë të përfshirë në një përpjekje për të përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Akuzat për mashtrim shtetëror u ngritën më 14 gusht 2023 nga Prokurorja demokrate Fani Willis, e cila nisi një hetim të gjatë mbi ndërhyrjen e dyshuar të Trump në zgjedhjet e Xhorxhias në fillim të vitit 2021. Hetimi filloi menjëherë pasi një telefonatë u bë publike në të cilën Trump i bëri presion Sekretarit të Shtetit Brad Raffensperger, një republikan, për të gjetur votat e nevojshme që ai të fitonte shtetin në zgjedhjet presidenciale.

Por rasti mori vëmendjen më të madhe kur Trump shkoi vetë në burgun e Atlantës në Xhorxhia për 20 minuta, nga ku u shkrep dhe fotoja e tij e famshme e arrestimit. Prokurori i ri Pete Skandalakis tha se sipas mendimit të tij, qytetarët e Xhorxhias nuk përfitojnë nga ndjekja e plotë e kësaj çështjeje për 5 apo 10 vjet të tjera. Kjo lëvizje do të thotë që Trump ka shpëtuar nga një rrezik ligjor që kishte të bënte me përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen e vitit 2020 ndaj Joe Biden.

Çështje të tjera si ajo për keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara ishin rrëzuar me parë. Rasti i Xhorxhias ishte më i mundshmi që e çonte Trump në gjyq, pasi akuzat u ngritën nga një prokuror lokal dhe nuk ishin akuza federale që mund të faleshin.

Padia kundër Trump nuk do të kishte vijuar teksa ai është ende president, por 14 të pandehur të tjerë ende përballeshin me akuza, përfshirë ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut dhe avokatin e Trump, Rudy Giuliani, dhe ish-shefin e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadoës.