Rusia tha të premten se po e shqyrton ndalimin e shërbimit të njohur për dërgimin e mesazheve, WhatsApp, duke e akuzuar atë se ka dështuar ta parandalojë krimin. Ky kërcenim vjen pasi Moska po bën përpjekje t’i shtyjë rusët të kalojnë në shërbime digjitale të mbështetura nga shteti.

Rusia ua kishte bllokuar përdoruesve mundësinë për të bërë thirrje në WhatsApp në gusht, si pjesë e një goditjeje më të gjerë ndaj rrjeteve sociale në pronësi perëndimore.
Këto veprime, sipas kritikëve, kanë për qëllim t’i detyrojnë rusët të përdorin platformat vendase.

Në një komunikatë, mbikëqyrësi rus i komunikimeve, Roskomnadzor, tha se WhatsApp po përdorej për “të organizuar dhe kryer akte terroriste në vend, për të rekrutuar autorë, si dhe për mashtrime dhe krime të tjera kundër qytetarëve tanë”.

“Nëse ai nuk i përmbahet legjislacionit rus, do të bllokohet plotësisht”, thuhet në deklaratë.
Gjiganti amerikan i teknologjisë Meta, i cili zotëron WhatsApp-in, nuk ka komentuar ende.
WhatsApp është një nga dy shërbimet më të njohura për dërgimin e mesazheve në Rusi, krahas Telegramit.

Moskës kërkon nga këto dy platforma t’i japin asaj qasje në të dhëna sipas kërkesës së organeve të rendit, për hetime mashtrimesh dhe për aktivitetet që Rusia i përshkruan si “terroriste”.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut druhen se kjo do ta zgjeronte shtetin mbikëqyrës në Rusi dhe mund të përdoret për të shënjestruar kritikët e Kremlinit, presidentit Vladimir Putin ose luftës në Ukrainë.