Kryeministri Edi Rama, duke folur në Samitin e Planit të Rritjes me liderët e Ballkanit Perëndimor, u ndal në transformimin ekonomik të rajonit dhe në mënyrën se si perceptohet ai sot nga investitorët. Rama theksoi se për dekada Ballkani Perëndimor është trajtuar si një arenë konfliktesh, por se sot panorama ka ndryshuar ndjeshëm, falë partneriteteve të reja dhe formave të reja investimi.

Sipas tij, çdo shifër rritjeje përfaqëson një vend pune, një pagesë dhe një arsye më shumë për të qëndruar në vend.

Kryeministri nënvizoi se rajoni nuk është “pika e dobët e Europës”, por një forcë që kontribuon në stabilitet dhe zhvillim, ndërsa Shqipëria synon të jetë pjesë e Bashkimit Europian jo si përfituese, por si kontribuuese.

Ai shtoi se Ballkani Perëndimor po ecën drejt integrimit me duart plot me reforma, investime dhe rezultate konkrete, duke e shndërruar Europën në një hapësirë bashkëjetese, e jo një destinacion emigrimi. Në një mesazh simbolik mbi sigurinë, Rama deklaroi se “për sigurinë tuaj zgjidhni një ballkanas”, duke e cilësuar rajonin si një aleat të besueshëm për Europën.

“Për dekada rajoni është trajtuar në rastin më të keq si një luftë për t’u marrë, kurse investuesit tani shikojnë diçka më ndryshe. Katër partneritet të ndryshe, çdo shifër mat një vend pune, një pagesë dhe një shpresë. Kur mundësitë rriten në vend, Europa do të bëhet një rrugë bashkëjetimi, jo një ikje. Po vërtetojmë forma të reja investimi.

Ballkani Perëndimor nuk është pika e dobët e Europës. Europa nuk është diçka që po e presim, por diçka që po e kërkojmë. Askush nuk po kërkon nder, askush nuk po thërret për të shërbyer me ëmbëlsira. Gjithkush vjen me mund dhe nder dhe djersë. Ne nuk po lutemi për të hyrë në BE. Nuk po kërkojmë lëmoshë, ne po japim rezultate.

Nëse Ballkani Perëndimor bëhet më e fortë, Europa bëhet më e fortë. Nuk po ecet drejt Europës me duar bosh, por me investime , reforma dhe duart plot. Shqipëria do hyjë në BE, jo si të ftuar, por si kontribuues. Për sigurinë tuaj zgjidhni një ballkanas, ne mund të jemi truprojat e Europës”, tha Rama.