Në Katalonjë e kujtojnë si ardhjen e Mesias, ndonëse shënoi Iniesta e jo Mesi, ndërsa në Angli dhe përgjithësisht në Europë si kulmimi I një vjedhjeje të madhe. Pati luftë atë mbrëmje prilli 2009 në “Stemford Brixh” të Londrës, dhe sërish pritet duel I ashpër, ndërsa Çelsi e Barcelona ringjallin rivalitetin e vjetër. Në stadiumin ikonik të kryeqytetit britanik, ekipet me fanela blu dhe blaugrana I kanë shkruar disa faqe të historisë së futbollit.
Po këtë herë si pritet?
Barcelona ka udhëtuar për në Londër me bindjen se është kthyer në formë, pavarësisht problemeve dhe dyshimeve. Rikthimi me fitore në “Kamp Nou” jep shpresë. Rashford është përfshirë në skuadër pasi kaloi sëmundjen, ndërsa u stërvit nga e diela.
Me gjashtë gola e 9 asistë në 16 ndeshje, anglezi ka qenë ndër më të mirët.
Edhe më I mirë për tifozët është lajmi për kthimin e Rafinjës, I cili hyri në lojë nga stoli të shtunën në La Liga, pas një mungese 2-mujore.
Gjithsesi, mungesat janë të rëndësishme si Pedri e Gavi si dhe portiere Ter Shtegen. Katalanasit kanë të njëjtat rezultate si Çelsi në Ligën e Kampionëve, dhe në kampionat janë kthyer në garë, me vetëm 1 pikë më pak se Reali.
Blutë e Londrës gjithashtu janë në formë, në vend të dytë në Premier, dhe vetëm me një humbje në Champions, në fushën e Bajernit.
Një nga yjet kryesorë, Koul Palmer, ende mungon dhe mund të jetë I gatshëm vetëm për Arsenalin pas pak ditësh. Enzo Fernandez, Neto dhe Badiashvile jepen të gatshëm, por Lavia, Koluill dhe Esugo mungojnë sërish.
Të përditshmet nga të dyja krahët pikërisht flasin për rikthimin e traditës dhe të rivalitetit, dhe presin një ndeshje të madhe në “Stemford Brixh”. Bilanci është mjaft I ekuilibruar me 5 fitore për anglezët, 6 për katalanasit dhe 6 barazime, ndonëse në Londër Çelsi ka më shumë epërsi.




















