Ish-Presidenti amerikan, Barack Obama kritikoi të shtunën presidentin Donald Trump për politikat e tij të cilat i ka cilësuar kaotike. Obama paralajmëroi për rreziqet që kërcënojnë demokracinë amerikane.
Obama kritikoi politikat e presidentit aktual në një tubim për kandidaten për guvernator të Virxhinias, Abigail Spanberger dhe kandidatin për guvernator të Nju Xhersit, Mickey Sherrill.
“Le ta pranojmë, vendi dhe politika jonë janë në një gjendje mjaft të zymtë tani”, u tha ish-presidenti mbështetësve të Spanberger të mbledhur në Universitetin Old Dominion në Norfolk të Virxhinias.
“Është e vështirë të vendosësh nga t’ia fillosh sepse çdo ditë kjo Shtëpi e Bardhë u ofron qytetarëve një grumbull të ri paligjshmërie, pakujdesie dhe çmendurie dashakeqe dhe thjesht të pakuptimtë”, shtoi ai.
Obama kritikoi ashpër politikën “kaotike” të tarifave të Trump dhe vendosjen e Gardës Kombëtare në shtetet amerikane.
“A po funksionon ekonomia më mirë për ju? Sepse sigurisht që ka qenë më mirë për Trumpin dhe familjen e tij”, shtoi ai.
Rezultatet e zgjedhjeve për guvernator në Virxhinia dhe Nju Xhersi , të cilat do të mbahen të martën, priten me padurim pasi ato do të shërbejnë, deri diku, si një barometër për zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2026.
Abigail Spanberger, një ish- anëtare e CIA-s dhe senatore për gjashtë vjet, është një favorite për të fituar në Virxhinia. Megjithatë, Mickey Sherrill duket se në sondazhe po lufton krah për krah me republikanin Jack Ciattarelli në Nju Xhersi.




















