Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë, Julian Kazazi, është larguar nga puna në Cirkun Kombëtar, masë të cilën ai e konsideron si goditje të drejtpërdrejtë ndaj veprimtarisë së tij sindikale dhe denoncimeve publike për shkelje dhe abuzime me fondet publike në institucion.

Sipas Kazazit, vendimi është marrë pa argumentim ligjor dhe në kundërshtim me Kodin e Punës dhe Konventat Ndërkombëtare të Organizatës së Punës (ILO), të cilat ndalojnë largimin nga puna të përfaqësuesve sindikalë për shkak të rolit të tyre përfaqësues.

“Ky është një veprim i pastër administrativ, i ndërmarrë për të heshtur zërin kritik dhe për të frikësuar punonjësit e tjerë. Për muaj të tërë kemi denoncuar mungesën e kushteve të punës, presionet, falsifikimin e dokumenteve dhe abuzimet me fondet publike. Largimi im është pjesë e së njëjtës skemë presioni,” deklaron Kazazi.

Sindikatë ka njoftuar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore në vend dhe ndërkombëtarisht, përfshirë Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatin e Popullit, Inspektoratin e Punës, Gjykatën Administrative dhe strukturat e ILO-s.

“Askush nuk mund të ndalojë lirinë sindikale. Ky rast nuk është personal, por lidhet me të drejtën e çdo artisti dhe punonjësi për të pasur zë dhe mbrojtje,” theksohet në qëndrimin zyrtar të Sindikatës.