Deri në mbylljen e grupeve kualifikues të “Botërorit 2026”, rivalët mund të ndryshojnë. Por nuk do të ndryshojë pozicioni i Shqipërisë dhe Kosovës, që tashmë e kanë siguruar vendin e tyre në vazon e tretë në shortin e play off që do të hidhet në Zyrih, të enjten e 20 nëntorit.

Në këtë mënyrë, nuk do të ketë “derbi” shqiptar, të paktën në raundin gjysmëfinal të play off, ndërsa me pak fat mund të shpresojmë që si kuqezinjutë ashtu edhe “Dardanët” të kenë një rrugë të ndryshme drejt finales dhe pse jo të shkruajnë një tjetër faqe të historisë së tyre, duke siguruar të dyja kualifikimin për në finalet e Kupës së Botës.

Gjithçka do të përcaktohet nga shorti, ndërsa si fillim Shqipëria dhe Kosova duhet të njohin rivalët e parë. Ata do të zgjidhen nga e njëjta vazo, çka do të thotë se të dyja skuadrat, të paktën për momentin mund të kenë kundarshtarë të njëjtë. Si kombëtarja shqiptare ashtu edhe ajo kosovare do të peshkojnë nga vazo 2, ku bëjnë pjesë Uellsi, Hungaria, Skocia dhe Sllovakia.

Rivalë thuajse në të njëjtin nivel, por sigurisht të kalueshëm, aq më tepër pas paraqitjeve në kualifikueset e fundit. Por pozicinimi në vazon e tretë, ka një nivel më të lartë vështirësie, pasi Shqipëria dhe Kosova do të luajnë të dyja në transfertë ndeshjet gjysmëfinale të plej ofit.

Nëse kombëtarja kuqezi e ka mbyllur fushatën e saj kualifikuese në grup, Kosova do të luajë të martën sfidën e fundit, ndërsa do të presë në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, Zvicrën.

Skuadra me kapiten Granit Xhakën kryeson grupin B me tre pikë më shumë se Kosova, që ka vetëm shanse matematikore, por jo realiste për të marrë vendin e parë. Për të arritur këtë “Dardanët” duhet të fitojmë me 12 ose më shumë gola diferencë, praktikisht diçka e pamundur.