Festa ka përfunduar dhe sot nis një sfidë e re.
Shqipëria, por edhe Kosova, do të mësojnë mbrëmjen e së enjtes rivalin e plej ofit për në Kupën e Botës.

Në Zyrih të Zvicrës do të hidhet shorti I gjysmëfinaleve dhe finaleve, për të përcaktuar më pas se kush do të shkojë vitin e ardhshëm në turneun e madh në Amerikën e Veriut.

Rivalët tanë të mundshëm dihen që pas përfundimit të eliminatoreve. Ata janë Polonia, Uellsi, Çekia dhe Sllovakia, që bëjnë pjesë në Vazon e Dytë, ndërsa Shqipëria është në Vazon e Tretë. Të njëjtët rivalë të mundshëm ka edhe Kosova që gjithashtu është në vazon e tretë.

Gjithsesi, shorti nuk mbaron me kaq, sepse do të përcaktohen edhe çiftet e mundshme në finale.
Shqipëria dhe Kosova do të dinë gjithçka, pra në ndeshjen e fundit nëse fitojnë të parën, mund të kenë përballë edhe një Itali, Danimarkë, Turqi apo Suedi.

Të dyja ekipet përfaqësuese u kualifikuan për në plej of duke dalë në vendin e dytë në grupet e tyre përkatëse, Shqipëria në Grupin K duke lënë pas Serbinë, Letoninë dhe Andorrën, e Kosova në Grupin B duke lënë prapa Slloveninë e Suedinë.