Shqipëria do të hapë më 17 nëntor 2025 bisedimet për pesë kapitujt e përfshirë në grupkapitullin 5 – “Bujqësia, Kohezioni dhe Burimet”, duke shënuar një tjetër hap vendimtar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, e cilësoi këtë zhvillim si një gur kilometrik në rrugën e integrimit dhe një moment krenarie për çdo shqiptar.

Spiropali theksoi se hapja e këtij grupkapitulli përbën një premtim të mbajtur nga qeveria, në përmbushje të objektivit për hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave brenda vitit 2025. “Premtimet marrin kuptim vetëm kur ato mbahen. Kishim premtuar hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave brenda vitit 2025. Pak kush e besonte. Por sot, ai që dukej angazhim i pamundur, është bërë realitet,” u shpreh ajo, duke shtuar se kjo arritje është rezultat i reformave të qëndrueshme dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet evropiane.

Më herët gjatë ditës, ministrja Spiropali zhvilloi një takim online me 27 ambasadorët shqiptarë të akredituar në vendet anëtare të BE-së, ku në qendër të diskutimit ishte një fazë e re koordinimi dhe bashkëveprimi në kuadër të ofensivës diplomatike dhe kombëtare për integrimin evropian të Shqipërisë.