Katastrofë. Kështu mund të cilësohet ky sezon për Tiranën e futbollit, klubin më të titulluar në Shqipëri me 26 trofe të kampionatit. Bardheblutë që tanimë kanë në stol Ardian Nuhiun (trajneri i tretë këtë sezon) u mposhtën 0-2 nga Vora në “Selman Stërmasi”, për disfatën e shtatë sezonale. Vorakët, debutues në Superligë duket se ia kanë ‘marrë dorën’ Tiranës, pasi edhe në fazën e parë i mposhtën 3-1.
Ndeshja nisi më mirë për miqtë dhe Vora kaloi në avantazh me Patrik Bardhin pas vetëm 12 minutave lojë. Për t’i vendosur “kapakun” një ndeshje të dështuar mendoi mbrojtësi Lleshi, i cili gaboi në ndërhyrjen kundër Adeloye dhe shkakoi 11 metërsh në favor të Vorës.
Penalltia u shfrytëzua mirë nga Irgi Kasalla që me të djathtën ia la sferën në qendër portierit Tafas (minuta 33), me këtë të fundit që zgjodhi krahun e gabuar në hedhje. Edhe pse kishte afro 60 minuta lojë shifrat mbetën të pandryshuara dhe Vora siguroi tri pikë me shumë peshë.
Pas javës së 11-të, Vora me 14 pikë për momentin ndodhet në pozitën e gjashtë, duke lënë Tiranën me vetëm gjashtë pikë në vendin e fundit (10). Raundin që vjen Vora pret Teutën, ndërsa Tirana luan në Vlorë kundër Flamurtarit.
Për t’u theksuar se sot në “Selman Stërmasi” Tirana u braktis edhe nga tifozët, me një numër të vogël të “Fanaticsave” që u panë në stadium.




















