Qendra kërkimore Langley e NASA-s ka zbuluar se hemisfera veriore po errësohet më shpejt se ajo jugore, ndryshim ky që pritet të ndikojë tek reshjet dhe modelet e motit.
Ekspertët shpjegojnë se normalisht, ekziston një simetri mes dy hemisferave të planetit: Ato reflektojnë pothuajse të njëjtën sasi të dritës së diellit mbrapsht në hapësirë. Çka në vetvete është e çuditshme, sepse gjysma veriore ka më shumë tokë, më shumë qytete dhe më shumë ndotje.
Kjo duhet të çojë në një sasi drite të reflektuar më të lartë sesa gjysma jugore, e cila duke qenë kryesisht oqeanike, është shumë më e errët dhe thith më tepër rrezatim.
Por studimi I fundit i botuar në Proceedings of the National Academy of Sciences, tregon se ky ekuilibër po zhduket, çka mund te ketë efekte shkatërruese për klimën. Autorët e studimit, shkencëtare të Qendrës Kërkimore Langley të NASA-s, të cilët analizuan 24 vjet vëzhgime nga misioni CERES, zbuluan se tani, po ndodh e kundërta: Hemisfera veriore po e thith më shpejt dritën se ajo jugore.
Ajo po errësohet. Ky ndryshim në ekuilibrin e energjisë së Tokës mund të përshpejtojë sipas tyre ngrohjen globale, sepse nëse planeti ynë, si çdo objekt tjetër thith më shumë dritë, temperatura e tij rritet. Këto ndryshime sipas ekspertëve, mund të ndikojnë tek reshjet e për rrjedhojë edhe tek modelet e motit për dekadat e ardhshme.




















