Donald Trump ka falur një listë të gjatë të aleatëve të tij politikë për mbështetjen ose përfshirjen e tyre në planet e dyshuara për të përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Në një listë të gjatë të publikuar nga Avokari i Faljes në Departamentin e Drejtësisë, bie në sy përfshirja e figurave të nivelit te lartë si avokatët e Trump ish-kryebashkiaku i Nju Jork Rudi Xhuliani, Sidni Pauell dhe ish-shefi i stafit të presidentit, Mark Midous.

Në dokumentin ku u garantohet falja të paktën 77 personave, i nënshkruar që në datën 7 nëntor, thuhet se ky hap i jep fund një padrejtësie të rëndë kombëtare të kryer ndaj popullit amerikan pas Zgjedhjeve Presidenciale të vitit 2020 dhe vazhdon procesin e pajtimit kombëtar.

Faljet presidenciale zbatohen vetëm për akuzat federale, jo për akuzat shtetërore ose lokale. Ato janë kryesisht simbolike pasi asnjë nga personat në fjalë nuk u akuzua për krime federale.

Xhuliani dhe Pauell ishin midis atyre që u identifikuan nga ish-këshilltari special Xhek Smith si bashkëpunëtorë të Trump, megjithëse ai kurrë nuk ngriti akuza kundër tyre. Faljet do të pengonin çdo administratë të ardhshme të ndiqte një çështje penale kundër tyre.

Pasi u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, Trump fali më shumë se një mijë persona që morën pjesën në trazirat e Kapitolit brenda pak orësh nga inaugurimi i tij në janar, përfshirë qindra nga ata që sulmuan oficerët e policisë që mbronin Kapitolin.

Trump fali gjithashtu ish-yllin e Meixohr Lig Bejsboll, Derril Strauberi, për një akuzë për evazion fiskal në vitin 1995.