Donald Trump firmosi projektligjin që urdhëron publikimin e dosjeve të Jeffrey Epstein, i dënur për trafikim dhe abuzim seksual me të mitura, që ndërroi jetë në burg në vititn 2019.
Projektligji kërkon që departamenti i drejtësisë të publikojë të gjitha informacionet nga hetimi i tij ndaj Epstein brenda 30 ditëve, megjithëse disa mund të mbeten të vulosura nëse lidhen me një hetim aktiv ose konsiderohen se cenojnë privatësinë personale.
Në një postim në Truth Social, Trump akuzoi sërish demokratët për lidhjet me Epstein dhe tha se ata do të zbulohen pasi ai nënshkroi dokumentin që udhëzon publikimin e dosjeve.
Projektligji kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve dhe më pas në Senatin amerikan thuajse unanimisht dhe Trump tha se merita për këtë ishte e tij, pasi i kishte udhëzuar republikanët të votonin në favor të publikimit të dosjeve.
Pasi u përball me kundërshtimin e viktimave të Epstein dhe anëtarëve të Partisë së tij Republikane, ai ndryshoi kundërshtimin e tij ndaj publikimit të dosjeve javën e kaluar.
Deri vonë, Trump e kishte hedhur poshtë nevojën për publikimin e dokumenteve, duke e quajtur së fundmi një mashtrim të udhëhequr nga demokratët për të shmangur vëmendjen nga puna e partisë së tij.
Presidenti mund ta kishte urdhëruar vetë publikimin e dosjeve, por nuk e bëri diçka të tillë derisa çështja arriti në Kongres.
Dosjet e Epstein që i nënshtrohen publikimit sipas legjislacionit janë dokumente nga hetimet penale ndaj financierit, duke përfshirë transkripte të intervistave me viktima dhe dëshmitarë, dhe sende të sekuestruara në bastisjet e pronave të tij. Këto materiale përfshijnë komunikime të brendshme të departamentit të drejtësisë, regjistra fluturimesh dhe njerëz e subjekte të lidhura me Epstein.
Dosjet janë të ndryshme nga më shumë se 20,000 faqet e dokumenteve të publikuara nga Kongresi javën e kaluar, duke përfshirë disa që përmendin drejtpërdrejt Trumpin.
Trump ishte mik i Epsteinit për vite me radhë, por presidenti ka thënë se i ndëreu lidhjet me të në fillim të viteve 2000, dy vjet para se Epstein të arrestohej për herë të parë.
Megjithatë në emailet e publikuara së fundi, sugjerohet se në fakt lidhjet e Trump me Epstein mund të mos jenë shkëputur deri vonë, para se ish-financieri të arrestohej për herë të fundit në vitin 2019.




















