Donald Trump ka paralajmëruar se gjëra të mira mund të jenë duke ndodhur sa i përket negociatave të paqes për Ukrainën.

Presidenti amerikan reagoi në një postim në rrjetet sociale, një ditë pasi zyrtarët më të lartë të Uashingtonit dhe ata të Kievit, mbajtën në Gjenevë bisedime që i cilësuan produktive.

Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, e bëri të qartë se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë dhe shtoi se agresori duhet të paguajë për luftën që filloi. Zelensky tha ndër të tjera se ka sinjale se pala amerikane është duke e dëgjuar Kievin dhe shprehu mirënjohjen ndaj Donald Trump.

Por Moska duket se është e kënaqur me planin aktual dhe Vladimir Putin tha gjatë një telefonate me homologun turk Erdogan, se ky propozim mund të jetë baza për zgjidhjen e konfliktit. Ndërkohë ndihmësi i lartë i Kremlinit, Yuri Ushakov, hodhi poshtë kundërpropozimin europian për fundin e luftës.

Plani i Europës parashikon që ushtria ukrainase të ketë 800 mijë trupa në kohë paqeje, pak më shumë se 600 mijë që kërkonte plani i Trump.
Anëtarësimi i Kievit në NATO do të varet nga një konsensus mes aleatëve, që tani për tani nuk ekziston, ndërsa negociatat për shkëmbime territoriale duhet të fillojnë nga vija aktuale e frontit. Rusia do të paguajë për rindërtimin e Ukrainës, ndërsa gradualisht i hiqen sanksionet dhe ribashkohet në G8.

Kancelari gjerman Merz tha se Donald Trump ka shprehur gatishmëri për një plan paqeje të zhvilluar bashkërisht për Ukrainën, por shtoi se nuk pret zhvillime të rëndësishme brenda javës.
Nga ana tjetër Trump pati një bisedë telefonike me Xi Jinping me të cilin diskutoi edhe për Ukrainën, ndërsa sipas asaj që raportojnë mediat ndërkombëtare, ai mund të mirëpres Zelenskyn në Uashington për të diskutuar planin e paqes.