Shtetet ndërmjetësuese të armëpushimit ende po punojnë për një mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një forcë ndërkombëtare stabilizimi në Gaza dhe do të marrin vendim për vendosje trupash sapo të përfundojë hartimi i një kornize të përgjithshme për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren, tha të hënën Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan.
Fidan foli pasi ai dhe ministrat nga disa vende me shumicë myslimane u takuan në Stamboll për të diskutuar armëpushimin e brishtë të ndërmjetësuar nga SHBA-të në Gaza, ndërsa Hamasi dhe Izraeli shkëmbejnë akuza për shkelje të marrëveshjes, sipas Reuters. Disa nga vendet që u takuan, të cilat përfshinin gjithashtu Katarin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordaninë, Pakistanin, Indonezinë dhe Turqinë mund të kontribuojnë në forcën e parashikuar për të monitoruar armëpushimin.
Udhëheqësit e shtatë vendeve ishin takuar me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Nju Jork në shtator, pak para se Izraeli dhe Hamasi të binin dakord për planin e tij të armëpushimit. Bisedimet në Stamboll u përqendruan gjithashtu në situatën humanitare në enklavë.
Fidan tha në një konferencë për shtyp se kishte disa probleme në zbatimin e plotë të marrëveshjes sepse Izraeli po e shkelte rregullisht atë, duke shtuar se Izraeli duhet të përmbushë detyrën e tij për të lejuar ndihmë të mjaftueshme.
Izraeli ka thënë se është i përkushtuar ndaj planit të Trump dhe se grupi militant palestinez Hamas nuk e ka mbajtur marrëveshjen e tij për të kthyer trupat e mbetur të pengjeve.
Një zëdhënëse e qeverisë tha se Izraeli po lejonte në Gaza “qindra kamionë me ndihma çdo ditë ndërsa Hamasi tregon fytyrën e tij të vërtetë duke penguar ndihmën humanitare të destinuar për popullin e vet”.
Turqia, anëtare e NATO-s, ka qenë një nga kritikët më të zëshëm të sulmit dyvjeçar të Izraelit në Gaza, duke e quajtur atë një gjenocid, të cilin Izraeli e mohon.
Me nxitjen e SHBA-së, ajo është shfaqur si një lojtare kyçe në përpjekjet e armëpushimit, duke ndihmuar në ndërmjetësimin e marrëveshjes dhe duke shprehur dëshirën për t’u bashkuar me grupet e punës për të monitoruar zbatimin e saj.
Megjithatë, Izraeli ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj një përfshirjeje të tillë turke.
I pyetur se çfarë roli donte të luante Turqia, Fidan tha se vendet po kërkojnë t’i japin një përkufizim dhe “legjitimitet” misionit.
“Ato do të vendosin, bazuar në përmbajtjen e këtij përkufizimi, nëse do të dërgojnë ushtarë apo jo”, tha ai.
Armëpushimi në Gaza, i cili la të pazgjidhura çështje të tilla si çarmatimi i grupit militant palestinez Hamas dhe një afat kohor për tërheqjen e Izraelit nga Gaza, është vënë në provë nga dhuna periodike që nga hyrja në fuqi më 10 tetor.
Fidan tha se Turqia donte të shihte palestinezët të gëzonin sigurinë e tyre dhe të menaxhonin qeverisjen e tyre pas luftës, por se kishte hapa të tjerë që duheshin ndërmarrë më parë.
			



















