Policia në Malësi të madhe ka zbuluar tre ambiente të përshtatura për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave.
Në kuadër të operacionit të koduar “Neonët” u arrestuan shtetasit Lazer Pepaj, Sander Pepaj dhe u shpall në kërkim shtetasi Kristjan Pepaj, të tre banues në fshatin Lulashpepaj.
Në vijim të operacionit u ndaluan edhe shtetasit Gëzim Hoxha 57 vjeç, banues në fshatin Balshaj; Lodovik Vulaj, 34 vjeç, banues në fshatin Aliaj; Xhuljano Çeraj, 24 vjeç, banues në fshatin Zagorë; dhe Adil Selmanaj, 57 vjeç, banues në Koplik, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, pasi dyshohen se kanë lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në disa ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit E. H., 57 vjeç, banues në Bajzë, dhe A. H., 41 vjeçe, banuese në Shkodër, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, të kryer në bashkëpunim.
Nga kontrollet në 3 ambiente (2 banesa dhe një stallë) në fshatin Hot, të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1110 bimë të dyshuara kanabis, 1 kg e 800 gramë lëndë narkotike kanabis në proces tharjeje, 300 llamba, 22 aspiratorë, 35 veltinatorë, 11 panele neoni, 22 filtra ajri dhe 217 inverterë.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit K. P.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Juridiksion të Përgjithshëm, Shkodër, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.”, thuhet në njoftimin e policisë.




















