Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka njoftuar një riorganizim në krye të kompanive më të rëndësishme të energjisë në vend, të cilat po përballen me një skandal të madh korrupsioni në sektorët e energjisë dhe mbrojtjes.
“Paralelisht me një rishikim të plotë të aktiviteteve financiare, duhet të fillojë një riorganizim të menaxhimit në këto kompani”, shkroi ai sot në Telegram.
Ai tha se kishte rënë dakord për hapat e mëtejshëm me kryeministren Yulia Svyrydenko.
“Kushtet për një bord të ri mbikëqyrës në kompaninë shtetërore energjetike “Energoatom” duhet të jenë në fuqi brenda një jave”, tha Zelensky, duke shtuar se bordi ekzekutiv i kompanisë gjithashtu do të zëvendësohej plotësisht.
Do të ketë gjithashtu ndryshime në menaxhim në operatorin shtetëror të hidrocentraleve “Ukrhidroenergo”, operatorin e sistemit të tubacionit të gazit në Ukrainë dhe gjigantin shtetëror të energjisë “Naftogaz”, tha ai.
“Tenderët përkatës janë planifikuar”, shtoi ai.
“Energoatom” është në qendër të skandalit më të madh të korrupsionit që Ukraina ka përjetuar që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë në shkurt 2022, pas të cilit dy ministra dhanë dorëheqjen në ditët e fundit.
Çështja përqendrohet në miliona dollarë ryshfete që dyshohet se janë paguar gjatë ndërtimit të strukturave mbrojtëse që synojnë të mbrojnë infrastrukturën energjetike nga sulmet ruse.
Dy të dyshuar, përfshirë një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Zelensky, janë arratisur jashtë vendit.




















