Banka Qendrore Europiane ka refuzuar të bëhet huadhënëse në një skemë për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 140 miliardë eurosh, që do të shlyhej me asetet e ngrira ruse.

Financial Times raporton se Banka arriti në përfundimin se propozimi i Komisionit Europian për këtë lloj kredie, shkel mandatin e saj. Kjo i ndërlikon më tej përpjekjet për të mbledhur fonde për Ukrainën, në një kohë kur vendi ka më shumë se kurrë nevojë për ndihmë financiare.

Sipas planit të Komisionit Europian, vendet anëtare të unionit duhet të ofronin garanci shtetërore në rast rreziku të shlyerjes së parave.

Megjithatë zyrtarë të Komisionit vendosën që shtetet anëtare nuk do të ishin në gjendje të mblidhnin një shumë të tillë shpejt në rast emergjence. Prandaj Komisioni iu drejtua bankës për ta pyetur nëse ajo mund të vepronte si huadhënës i fundit.

Përgjigja e Bankës Qendrore Europiane ishte se një lëvizje e tillë është e pamundur.
Nga një analizë e brendshme e Bankës u arrit në përfundimin se propozimi është në fakt me një financim direkt të qeverive, pasi asaj në thelb i kërkohet të mbulojë detyrimet financiare të shteteve anëtare.

Ideja e një kredie dëmshpërblimi deri në 140 miliardë euro, bazuar në bilancet e parave të gatshme të aseteve të ngrira ruse, u paraqit më 10 shtator. Falë kredisë dëmshpërblimit, Ukraina mund të merrte 45 miliardë euro në vit gjatë viteve të ardhshme, nga viti 2026 deri në vitin 2028.