Italia thotë se miratimi nga Këshilli, të hënën, i paketës kryesore të dosjeve për migracionin i hap rrugë vënies në punë të dy qendrave të azilit në Shqipëri, të cilat kishin mbetur në pritje prej muajsh për shkak të pengesave ligjore.

Ministri i Brendshëm Italian, Matteo Piantedosi, deklaroi në Bruksel se qendrat në Shqipëri po përgatiten të rikthehen në funksion të plotë dhe se do të përdoren për procedura të përshpejtuara në kufi, si modeli I parë I “qendrave të kthimit”, të parashikuara në rregulloret e reja.

Qendrat në Gjadër dhe Shëngjin u ngritën në bazë të protokollit Itali–Shqipëri të vitit 2023 dhe parashikoheshin të strehonin burra të rritur nga vende të sigurta, të shpëtuar në det, për t’u përpunuar me shpejtësi kërkesat dhe për t’u organizuar kthimet.

Nisja e tyre u shty, pasi gjykatat italiane rrëzuan disa urdhra ndalimi dhe vunë në dyshim listën e vendeve të sigurta për disa kombësi, duke e çuar çështjen deri në gjykatën më të lartë të BE-së. Ndërkohë, Këshilli miratoi rishikimin e konceptit të vendeve të treta të sigurta, që mundëson më lehtë refuzimin e kërkesave dhe dëbimet drejt vendeve ku aplikantët kanë kaluar në tranzit.

Ministrat e Brendshëm të BE-së arritën gjithashtu marrëveshje për rregulloren e kthimeve, që lejon krijimin e qendrave të kthimit jashtë territorit të BE-së, dhe finalizuan listën e përbashkët të vendeve të origjinës të sigurta, duke përshpejtuar trajtimin e kërkesave për shtetasit e Bangladeshit, Kolumbisë, Egjiptit, Indisë, Kosovës, Marokut dhe Tunizisë.