Legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero ka analizuar fitoren 2-0 të “Bardhezinjëve” kundër Pafosit, duke theksuar se lojtarët e skuadrës aktuale “po e ndjejnë peshën e historisë të së kaluarës së këtij ekipi” dhe se ambienti te kampionët italian “nuk është për këdo”.
Juventusi triumfoi falë golave të Weston McKennie dhe Jonathan David në pjesën e dytë, megjithatë skuadra qipriote pati disa raste shumë të mira për të kaluar në epërsi në 45 minutat e para. Ish-trajneri Fabio Capello madje u shpreh se Juventusi kishte “pak fat” në këtë ndeshje të fazës së ligës së Ligës të Kampionëve
Ndërkohë në analizën e tij për “Sky Sport Italia”, Del Piero u ndal te ngarkesa psikologjike që përballojnë lojtarët e Spallettit. “Pesha e së kaluarës, në kuptimin e sukseseve të klubit, ekziston, por ekziston edhe pesha e së kaluarës së afërt, sepse kjo skuadër është krijuar nga ajo që ndodhi sezonin e shkuar, me disa ndryshime te lojtarët kyç”.
“Lojtarët me personalitet u zëvendësuan nga lojtarë të rinj dhe ambienti i Juventusit nuk është për këdo. Është më kompleks. Kemi parë futbollistë që në klube të tjera janë më të lirshëm në veprimet e tyre. Vështirësitë janë objektive dhe të përditshme”.
Del Piero vazhdoi duke e lidhur presionin me mungesën e qartësisë taktike dhe konkurrencën e brendshme të skuadrës, duke shtuar edhe një paralajmërim për vazhdimësinë e rezultateve. “Ata fituan sot, por tani duhet të shkojnë në Bologna të dielën dhe mund të pësojnë dy gola, kush e di? Je gjithmonë në tension. Pyetja ime për Spallettin lidhej me këtë. Ka emergjencë në mbrojtje sepse ai kërkon një mbrojtës të djathtë që të luajë si qendërmbrojtës i djathtë. Ai ka ndryshuar shumë dhe nuk ka pasur asnjë siguri taktike apo sa i përket karakteristikave të lojtarëve, përveç Yildizit. Ku i krijon siguritë? Si i krijon? Gjithçka bëhet më e vështirë në kokat e të gjithëve, sidomos te ata që nuk luajnë rregullisht”.
Pas dy fitoreve në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve, Juventusi aktualisht renditet në vendin e 17-të me nëntë pikë dhe matematikisht i duhet edhe një fitore për të siguruar vendin në fazën e play-offit. Bardhezinjtë do të kenë dy sfida vendimtare në janar 2026: fillimisht do të presin Benfican në Torino, përpara se të udhëtojnë drejt Monacos për ndeshjen e fundit të fazës së ligës së Ligës së Kampionëve, që do të përcaktojë përfundimisht të ardhmen e tyre në garën më të madhe të klubeve në Evropë.




















