Udhëheqja e Volodymyr Zelensky-t po kalon momentin më të vështirë që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022dhe Europa duhet ta mbështesë sa më fuqishëm. Për këtë arsye, pas skandaleve të korrupsionit brenda qeverisë së tij, sot, Zelensky mbërrin në Paris për t’u takuar me homologun francez Emmanuel Macron.

Me negociatat për paqe që sapo u rinisën në Florida mes SHBA-ve dhe Ukrainës, Europa synon të largohet nga roli dytësor dhe të formojë një front të përbashkët me Zelensky-n, në emër të “një paqeje të drejtë e të qëndrueshme”. Sepse fati i Kievit dhe ai i kontinentit të vjetër janë ngushtësisht të lidhur.

Në Paris, mbërritja e Zelensky-t u pasua nga një intervistë shumë e qartë e ministrit francez të Jashtëm sipas të cilit, Zelensky është një “legjendë e rezistencës” dhe ka të drejtë absolute të udhëheqë vendin drejt paqes. Franca do ta përkrahë në përparimin e negociatave, për sa kohë që Rusia, me në krye Vladimir Putin, heq dorë nga ëndrrat për rindërtimin e ish‑Perandorisë Sovjetike përmes nënshtrimit të Ukrainës.

Europa dëshiron të jetë e bashkuar, për të mos dalë e dobët përpara amerikanëve dhe rusëve, edhe pse udhëheqësi hungarez Viktor Orbán kërkon që Ukraina të kthehet në një “shtet satelit”, pra që kontrollohet nga një fuqi më e madhe.
Për të mos u përqendruar vetëm tek formati diplomatik, Zelensky ka kontaktuar drejtpërdrejt me krerët europianë: me kryetaren e Komisionit Europian, me udhëheqës të shteteve të ndryshme, madje dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO‑s, për të koordinuar veprimet dhe për forcimin e mbrojtjes kundër sulmeve ruse.

Sot në Bruksel mblidhen ministrat e Mbrojtjes së BE-së së bashku me ministrin ukrainas për një samit, ndërsa diskutohet ndihma ushtarake evropiane për Kievin. Në këto rrethana, vizita e Zelensky-t në Paris shënon një moment kyç, jo vetëm për fatin e Ukrainës, por për të ardhmen e sigurisë dhe stabilitetit të të gjithë Evropës.