Zëvendësministja e Infrastrukturës dhe Energjisë e ftuar në panelin “Lidhja e Shqipërisë me botën: Koridori Lindje- Perëndim renditi gjatë fjalës së saj projektet kryesore në transportin hekurudhor dhe atë rrugor. Konkretisht:
Lidhja Hekurudhore Tiranë-Durrës dhe Aeroportit të Tiranës është projekti ynë kryesor. Ai përfshin rehabilitimin e plotë dhe elektrifikimin e seksionit më të ngarkuar hekurudhor në vend dhe lidh kryeqytetin me portin kryesor në Durrës dhe aeroportin ndërkombëtar të Rinasit. Është një projekt shumë i rëndësishëm dhe pritet të përfundohet në tremujorin e parë të vitit 2027.
Linja Sukth-Porto Romano, e cila ndodhet në fazën e projektimit, do të ofrojë një lidhje të re me portin tregtar të Porto Romanos, një port me rëndësi strategjike për të gjithë rajonin. Kjo lidhje do të sigurojë forcimin e pozicionit të Shqipërisë në korridoret rajonale të transportit.
Linja Vore-Hani i Hotit, e cila lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Rrjetin Mesdhetar TEN-T, është në proces prokurimi. Përmes këtij projekti, ne do të modernizojmë 120 km të një korridori strategjik veriperëndimor dhe do të përmirësojmë lidhjen tonë ndërkufitare.
Në Korridorin Hekurudhor VIII, i cili lidh Adriatikun me Maqedoninë e Veriut dhe më tej në lindje, progresi është i konsiderueshëm. Seksioni Durres-Rrogozhinë është në proces prokurimi me mbështetje të fortë nga BE, BEI dhe BERZH. Seksioni Rrogozhinë-Pogradec është në proces projektimi, me zbatim që pritet deri në vitin 2032.
Hekurudha Durres-Prishtinë, një lidhje strategjike hekurudhore me Kosovën, është gjithashtu në përgatitje e sipër. Ky projekt do të krijojë një lidhje të fuqishme ekonomike midis dy tregjeve tona, duke rritur integrimin rajonal dhe diversifikimin e mallrave.
Së fundmi, korridori Rrogozhinë-Vlorë dhe lidhja hekurudhore e Aeroportit të Vlorës do të përmirësojnë ndjeshëm lëvizshmërinë në jug të Shqipërisë, do të stimulojnë turizmin dhe do të përforcojnë transportin multimodal duke lidhur infrastrukturën hekurudhore, rrugore, ajrore dhe detare.
Sa i takon transportit rrugor ZëvendësMinistrja theksoi:
Arteriet kryesore si Autostrada Adriatiko-Joniane dhe Korridori Rrugor VIII janë mundësuesitkryesorë të rritjes. Investimet në këto korridore po krijojnë një rrjet lëvizshmërie më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikase, një rrjet që nxit turizmin, përshpejton tregtinë dhe mbështet lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.
Një komponent thelbësor i këtij vizioni më të gjerë është roli i Shqipërisë në Korridorin Mesdhetar Lindor të Ballkanit Perëndimor (WBEM). Ky korridor e vendos Shqipërinë në një udhëkryq të vërtetë: duke lidhur Detin Adriatik me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe më tej. Është një korridor me rëndësi strategjike për integrimin e rajonit me rrjetet evropiane të transportit. Si pjesë e WBEM, Shqipëria po përforcon infrastrukturën e saj rrugore dhe hekurudhore për të siguruar që ne përmbushim plotësisht standardet TEN-T të BE-së. Kjo është thelbësore për procesin tonë të integrimit në BE dhe për stimulimin e investimeve të huaja.
Me infrastrukturë moderne, efikase dhe të ndërlidhur, Shqipëria po e pozicionon veten jo thjesht si një pikë hyrjeje në Ballkanin Perëndimor, por si një lidhës aktiv, i besueshëm dhe me vizion midis Lindjes dhe Perëndimit.




















