Franca ngadalëson avancimin e rrugëtimit të Malit të Zi për anëtarësimin e këtij shteti të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Gazeta Vijesti shkruan se Podgorica zyrtare rrezikon të mbyllë vetëm tre nga 5 kapitujt e negociatave të planifikuara për tu mbyllur deri në fund të këtij viti, pasi Parisi zyrtar bllokoi avancimin e dy kapitujve kyç siç janë bujqësia dhe peshkimi.

Qëndrimi zyrtar i Francës u bë publik në mbledhjen e Grupit të Punës së Këshillit Europian që mbajt të premten. Përfaqësuesit francezë në Grupet e Punës së Bashkimit Europian kanë kundërshtuar mbylljen e kapitulli 11 që lidhet me bujqësinë dhe zhvillimin rural si dhe kapitullin 13 për peshkimin me argumentin se puna e bere nuk përputhet me standardet e Bashkimit Europian.

Pas përfundimit të këtyre diskutimeve, çështja kalon në fazën e radhës – konferencën ndërqeveritare në nivel ministror, ku pritet që të mbyllen përfundimisht vetëm tre kapituj: kapitulli 3, që ka të bëjë me të drejtën e themelimit të ndërmarrjeve dhe lirinë e ofrimit të shërbimeve; kapitulli 4 për lirinë e lëvizjes së kapitalit; si dhe kapitulli 6, që lidhet me të drejtën tregtare. Edhe pse teorikisht ekziston mundësia që vendimi i Francës të rishqyrtohet në nivel ministror, burimet diplomatike vlerësojnë se gjasat për një ndryshim janë minimale sipas asaj qe shkruan vijesti.

Mali i Zi i nisi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 29 qershor 2012. Që prej asaj kohe, Podgorica ka hapur të gjithë kapitujt negociues qe jane 33 dhe ka mbyllur përkohësisht shtatë prej tyre – tre në fund të vitit të kaluar dhe një tjetër në qershor të këtij viti.