Provat e reja të siguruara nga BBC sugjerojnë se autoritetet gjeorgjiane mund të kenë përdorur një substancë kimike e krijuar gjatë Luftës së Parë Botërore të quajtur camite në topat e ujit që u hodhën ndaj protestuesve antiqeveritarë në Tbilisi në fund të vitit 2024.
Sipas dëshmive të mbledhura, efekti i kimikatit ka shkaktuar djegie të forta në lëkurë dhe probleme serioze të frymëmarrjes.
Protestuesit shprehen se uji i topave të përdorur nga policia shkaktonte një djegie të menjëhershme dhe të vazhdueshme, e cila nuk zhdukej me larje. Disa prej tyre raportuan kollë, gulçim dhe të vjella që zgjatën mbi një muaj. Mjeku pediatër Konstantine Chakhunashvili, i cili ishte vetë mes protestuesve, kreu një studim me rreth 350 persona të ekspozuar. Pothuajse gjysma raportuan simptoma afatgjata si dhimbje koke, lodhje, probleme me frymëmarrjen dhe irritime të forta të lëkurës.
Gjetjet e tij, që tashmë janë pranuar për botim në revistën Toxicology Reports, zbuluan se 69 persona të ekzaminuar paraqisnin gjithashtu anomali në funksionimin e zemrës, një shenjë e pazakontë për ekspozim ndaj kimikateve të zakonshme të kontrollit të turmës.
Sipas disa ish-zyrtarëve të policisë së trazirave, të cilët folën për BBC-në, kimikati i dyshuar është përdorur më parë në teste të brendshme në vitin 2009 dhe është konsideruar shumë më i fortë se gazi CS. Lasha Shergelashvili, ish-kryetar i armatimit, thotë se efekti ishte aq i vazhdueshëm sa zona e testimit mbetej e pabanueshme për ditë, edhe pas shpëlarjes me ujë.
Një inventar policor i vitit 2019, i siguruar nga BBC dhe i konfirmuar si autentik nga një ish-oficer i lartë, përmbante dy kimikate të paemërtuara: UN1710 – trikloretilen, një tretës kimik dhe UN3439 – një kod ombrellë për disa kimikate të rrezikshme.
Pas analizave, ekspertët identifikuan se brenda kategorisë UN3439, i vetmi agjent historik i kontrollit të trazirave është cianidi bromobenzil, i njohur si camite. Ky është një irritues kimik i fortë, i përdorur nga ushtria franceze gjatë Luftës së Parë Botërore, më pas i braktisur për shkak të pasojave të rënda afatgjata tek individët e prekur.
Christopher Holstege, ekspert botëror i toksikologjisë, vlerëson se rezultatet e studimit, dokumentet policore dhe dëshmitë e testuesve tregojnë qartë drejt camite-s. Ai thekson se simptomat e raportuara, sidomos djegia e vazhdueshme e lëkurës dhe efektet që zgjasin me ditë dhe javë nuk përputhen me asnjë agjent konvencional të përdorur sot, përfshirë gazin CS.
Sipas tij, një kimikat kaq i fortë do të ishte përdorur për të larguar demonstruesit në mënyrë të zgjatur, duke i bërë të paaftë të dekontaminohen vetë dhe duke i detyruar të kërkojnë ndihmë mjekësore.
Raportuesja Speciale e OKB-së për Torturën, Alice Edwards, shprehu shqetësim për gjetjet. Ajo theksoi se përdorimi i një substance kaq të fortë ndaj popullatës civile përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar, pasi agjentët kimikë për kontrollin e turmave duhet të kenë efekte të përkohshme dhe të lehta. Edwards paralajmëroi se përdorimi i një kimikati të epokës së luftës mund të konsiderohet trup-dëmtim serioz, torturë ose keqtrajtim.
Qeveria gjeorgjiane dhe Ministria e Brendshme i kanë cilësuar gjetjet e BBC-së si “absurde” dhe “thellësisht të pavërteta”. Sipas tyre, policia ka vepruar në përputhje me ligjin përballë “kriminelëve brutalë” gjatë protestave.
Demonstratat nisën pasi qeveria njoftoi pezullimin e procesit të anëtarësimit në BE, një vendim që shkaktoi revoltë të madhe publike. Që atëherë, protestat janë mbajtur pothuajse çdo natë. Ndërsa pjesëmarrja ka rënë pas rritjes së gjobave dhe dënimeve me burg, ritmi i protestave mbetet i pandalur.
Opozita akuzon qeverinë për prirje pro-ruse dhe për shtypje të shoqërisë civile. Nga ana tjetër, partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane i ka mohuar të gjitha akuzat, duke deklaruar se ndryshimet ligjore janë bërë për “mirëqenien publike”.




















