Instagram po teston një veçori të re që mund të ndryshojë mënyrën se si përdoruesit krijojnë dhe shpërndajnë përmbajtje. Disa përdorues kanë raportuar se aplikacioni u shfaq një njoftim sipas të cilit ata lejohen të përdorin maksimumi tre hashtagë në çdo postim.
Kufizimi i ri nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Meta, kompania mëmë e Instagramit, dhe aktualisht nuk shfaqet tek të gjithë përdoruesit.
Për këtë arsye, ekspertët e teknologjisë besojnë se bëhet fjalë për një test të kufizuar, të cilin platforma po e përdor për të vlerësuar reagimet dhe efektet në mënyrën e shpërndarjes së përmbajtjes.
Deri më tani, përdoruesit kanë pasur mundësinë të përdorin deri në 30 hashtagë për postim, veçori që influencerët dhe bizneset e kanë shfrytëzuar për rritjen e shikueshmërisë. Ndryshimi i mundshëm në vetëm tre hashtagë mund të ndikojë drejtpërdrejt në strategjitë e marketingut, në promovimin e llogarive dhe në mënyrën se si përmbajtja shpërndahet në platformë.
Instagram nuk ka dhënë asnjë sqarim nëse ky kufizim do të bëhet i përhershëm, apo nëse është vetëm një test afatshkurtër. Pritet që kompania të publikojë një deklaratë zyrtare në ditët në vijim. Ndërkohë, përdoruesit vazhdojnë të ndajnë përvoja të ndryshme, ndërsa komuniteti i krijuesve të përmbajtjes shpreh shqetësimin se kufizimi mund t’i dëmtojë në arritjen e audiencave të reja.




















