John Terry është një nga emrat surprizë që po përmendet për postin e trajnerit të Oxford United, klub që militon në Championship.
Ish-kapiteni i Anglisë dhe legjenda e Chelseat është mes kandidatëve për të zëvendësuar Gary Rowett, i cili u shkarkua vetëm dy ditë para Krishtlindjeve.
Terry, 45 vjeç, prej kohësh po kërkon mundësinë për të nisur një karrierë të plotë si trajner kryesor dhe drejtimi i Oxford United mund të përfaqësojë hapin e madh që ai ka pritur. Edhe pse ka qenë i angazhuar së fundmi në Baller League me ekipin 26ers, dëshira e tij mbetet të hyjë në futbollin profesionist si trajner në nivel të lartë.
Një tjetër emër i fortë për këtë post është Michael Beale, ish-trajner i Rangers dhe QPR, i cili konsiderohet ndër favoritët për të marrë drejtimin e skuadrës. Megjithatë, Terry ka qenë prej kohësh në radarët e pronarëve të Oxfordit dhe është vlerësuar seriozisht edhe në të kaluarën.
Ish-mbrojtësi i Chelseat kishte zhvilluar një intervistë për këtë post edhe më herët, kur bordi i klubit vendosi t’ia besonte pankinën Des Buckingham. Ky i fundit e udhëhoqi Oxfordin drejt ngjitjes nga League One pas fitores në finalen e “play-off”-it kundër Bolton Wanderers, por u shkarkua më pas, me skuadrën që po luftonte për mbijetesë në Championship. Pas tij, Rowett u thirr për të shpëtuar sezonin, por aventura e tij përfundoi shpejt. Situata te Oxford United u bë edhe më e sikletshme kur programet zyrtare të ndeshjes së Boxing Day kundër Southampton u shtypën me mesazhin e Rowett, pavarësisht se ai ishte shkarkuar tre ditë më parë. Megjithatë, në fushë skuadra reagoi pozitivisht.
Nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Craig Short, Oxford United fitoi 2-1 ndaj Southampton, duke dalë nga zona e rënies. Tyler Goodrham shënoi golin e avantazhit në minutën e 23-të, ndërsa Taylor Harwood-Bellis barazoi për miqtë. Goli vendimtar erdhi në minutën e 89-të nga Stanley Mills, duke i dhënë frymëmarrje ekipit në renditje. Vendimi për trajnerin e ri pritet në ditët në vijim, me John Terry që mbetet një opsion serioz për drejtuesit e Oxford United, në një moment delikat të sezonit.




















