Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë të hënën se kjo javë “mund të jetë vendimtare për diplomacinë” në lidhje me planin e paqes Ukrainë-Rusi.
“Dëgjuam dje se bisedimet në Amerikë ishin të vështira, por produktive”, ka thënë ajo, duke shtuar se do të flasë më vonë me zyrtarët ukrainas. Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas përfunduan të dielën afërsisht katër orë bisedime që synonin gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare për luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, vetëm disa ditë para se i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff të shkojë në Moskë për bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin.
Witkoff, është planifikuar të takohet me Putinin në Moskë në ditët e ardhshme.
“Nëse do të ketë presion mbi ushtrinë e Ukrainës që nuk ka pushtuar askënd, atëherë duhet të ketë presion edhe mbi ushtrinë ruse”, ka thënë Kallas.
“Dhe në të vërtetë ushtria ruse është ajo që është një rrezik për të gjithë, dhe nuk po flas për vendet evropiane”, ka shtuar ajo.
“Nëse ushtria e Rusisë është e madhe, nëse buxheti i tyre ushtarak është aq i madh sa është tani, ata do të duan ta përdorin atë përsëri”, ka deklaruar Kallas. NATO-ja dhe BE-ja do të zhvillojnë disa takime këtë javë të përqendruara në Ukrainë.




















