Kosova përfaqësohet në samitin e Brukselit: BE-Ballkani Perëndimor me presidenten Vjosa Osmani, ndërsa Serbia nuk do të ketë asnjë përfaqësues.

Ka qenë Aleksandër Vuçiç që ka deklaruar se kjo ndodh për herë të parë në 13 apo 14 vitet e e fundit, si një mesazh i fortë për Brukselin.

“Askush nuk do ta përfaqësojë Republikën e Serbisë, kështu që Ballkani Perëndimor do të jetë pa ne. Po e bej këtë për hir të qytetarëve të Serbisë, pavarësisht se kjo do të kritikohet nga Brukseli. Mendoj se po e mbroj Serbinë dhe interesat e saja. Serbia është në anën e saj, pavarësisht nëse kjo i pëlqen Washingtonit, Brukselit apo Moskës.”

Përplasjet e Beogradit me Brukselin kanë qenë të forta muajt e fundit, sidomos pas mesazheve të prera të Marta Kos, komisioneres për zgjerim se Serbia ka ende shume punë për të bërë në procesin e saj të integrimit, përfshirë edhe njësimin me politikën e jashtme të Brukselit, përballë Moskës.

Nga krahu tjetër, presidentja Osmani në një intervistë për Euronews deklaroj se rrugën e Kosovës drejt BE, e vështirësojnë situatat gjeopolitike.

“Absolutisht. Është fati ynë. Ne do të bëhemi pjesë e unionit. Është diçka për të cilën kemi punuar për një kohë shumë të gjatë dhe, edhe pse praktikisht kemi aplikuar vetëm disa vite më parë dhe shpresojmë që aplikimi ynë të jetë shumë shpejt në tryezën e shteteve anëtare të Këshillit. Ndonëse është një proces shumë kompleks, nëse do të zbatohej kriteri i bazuar në meritë, Kosova realisht do të kishte qenë një nga vendet kryesuese deri tani.”

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat, me pese shtete të unionit që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe ende nën sanksionet e Bashkimit Europian.

Në draft konkluzionet e Brukselit për zgjerimin, Kosova kishte përsëri detyrë ngritjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe dialogun me Serbinë, që ka ngrirë plotësisht që pas sulmit terrorist në Banjskë në shtator të 2023-shit.