Finalja e Kupës së Botës 2006 midis Italisë dhe Francës do të mbahet mend përgjithmonë, jo vetëm për lotët, penalltitë dhe trofeun, por mbi të gjitha për përplasjen e famshme mes Marco Materazzit dhe Zinedine Zidanes – çasti që shokoi botën e futbollit.

Gjithçka nisi me një kontakt të vogël në zonë. Zidane kishte shënuar golin e Francës dhe trajneri italian Marcello Lippi i kishte kërkuar Materazzit ta markonte nga afër.

Sipas Materazzit, pas përplasjes së parë ai kërkoi falje, por Zidane reagoi keq. Prej aty, tensioni filloi të rritej minutë pas minute.
Ndeshja vazhdoi me duele, ndërhyrje, shikime të ngrira dhe fjalë të rënda që nuk u kapën kurrë nga kamerat.

Lufta psikologjike mori trajtë të hapur deri në minutën e 110-të, kur gjithçka shpërtheu në mënyrën më të papritur.

Në përplasjen e tretë, Materazzi tregon se Zidane i tha:

“Do të ta jap fanellën time pas ndeshjes.” Ndërsa përgjigjja e tij ishte goditja verbale që e shtyu Zidanen drejt momentit më famëkeq të karrierës: “Më mirë motra jote se fanella jote”.

Në sekondat që pasuan, Zidane u kthye, iu afrua Materazzit dhe e goditi me kokë në gjoks, duke shkaktuar një nga imazhet më ikonike dhe të diskutueshme në historinë e futbollit.
Stadiumi u trondit, ndërsa gjyqtari nxori kartonin e kuq që vulosi daljen e Zidanes në ndeshjen e fundit të karrierës së tij.

Aji çast i vetëm, i nxehtë dhe i papërmbajtur, shndërroi finalen e Berlinit në një histori që do të përmendet për dekada – një përplasje që mbeti simbol i tensionit, presionit dhe pasioneve të pamëshirshme të futbollit botëror.